Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka dhënë një deklaratë të fortë që mund të sinjalizojë një ndryshim të rëndësishëm në prioritetet e qeverisë së tij. Gjatë një vizite në një strukturë të agjencisë së sigurisë Shin Bet, në jug të Izraelit, Netanyahu tha se pas operacioneve ushtarake në Iran janë “hapur shumë mundësi” – përfshirë edhe mundësinë për kthimin në shtëpi të pengjeve që ende mbahen në Gaza.
“Siç ndoshta e dini, shumë mundësi janë hapur tani pas kësaj fitoreje. Së pari, për të shpëtuar pengjet. Sigurisht, ne gjithashtu do të duhet të zgjidhim çështjen e Gazës, të mposhtim Hamasin, por unë besoj se do t’i përmbushim të dy misionet,” – deklaroi Netanyahu.
Ky është një nga rastet e para kur Netanyahu i jep përparësi të qartë çështjes së pengjeve përpara mposhtjes së Hamasit – një ndryshim i dukshëm në ton dhe qëllime krahasuar me deklaratat e mëhershme të tij.
Në fillim të muajit maj, Netanyahu e kishte përshkruar mposhtjen e Hamasit si “objektivin suprem”, duke vendosur lirimin e pengjeve në plan të dytë. Ai kishte folur për një “fitore totale” në Gaza si objektiv kryesor të luftës.
Por, komentet e fundit sugjerojnë një rishikim të qëllimeve të qeverisë izraelite dhe mund të sinjalizojnë ndryshime të mundshme në qasjen ndaj luftës në Gaza.
Menjëherë pas deklaratave të kryeministrit, Selia Qendrore e Forumit të Familjeve të Pengjeve reagoi, duke kërkuar një marrëveshje të vetme gjithëpërfshirëse për të kthyer të gjitha 50 pengjet dhe për t’i dhënë fund luftimeve.
“Ajo që nevojitet është lirimi, jo shpëtimi. Ky ndryshim i një fjale mund të nënkuptojë ndryshimin midis shpëtimit dhe humbjes për pengjet,” – thuhet në reagimin e Forumit.
Në pjesë të tjera të fjalimit të tij, Netanyahu shtoi gjithashtu se “po hapen mundësi më të gjera rajonale” – një referencë e qartë ndaj përpjekjeve për të zgjeruar Marrëveshjet e Abrahamit, përmes të cilave Izraeli ka normalizuar marrëdhëniet me disa shtete të Gjirit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!