Një rast i rëndë i dhunës në familje është raportuar në orët e para të mëngjesit në Klinë, ku një i ri dyshohet se ka sulmuar nënën e tij dhe ka shkaktuar dëme brenda dhomës së hotelit ku po qëndronin.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti ka ndodhur rreth orës 04:05 në një hotel në fshatin Gremnik.
Sipas informacioneve të siguruara, viktima me inicialet R.S., rreth 50-vjeçar ka deklaruar se ajo dhe djali i saj S.S., rreth 28-vjeçar kishin ardhur nga Zvicra rreth një javë më parë dhe po qëndronin në hotel.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pasi i dyshuari është zgjuar gjatë natës në gjendje të rënduar psikike. Në momentin kur nëna e tij ka tentuar ta qetësojë, ai dyshohet se e ka goditur në kokë me një karrige, duke i shkaktuar lëndime.
Përveç sulmit fizik, i dyshuari dyshohet se ka dëmtuar edhe inventarin e dhomës, përfshirë tavolina dhe karrige.
Pas raportimit, Policia ka ndërhyrë dhe ka arrestuar të dyshuarin, ndërsa viktima është dërguar për trajtim mjekësor.
Sinjali mëson se pas ekzaminimit nga mjekët, i dyshuari është transferuar në repartin neuropsikiatrik të Spitalit të Pejës për trajtim të mëtejmë, ku po qëndron nën mbikëqyrje policore.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa rasti po hetohet si “Dhunë në familje” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.
Një natë që nisi në dhomën e hotelit përfundoi me ndërhyrje të Policisë, trajtim mjekësor për nënën dhe ndalim për djalin.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!