Një operacion i policisë spanjolle e mbështetur nga Europol ka çuar në arrestimin e 20 personave të përfshirë në pastrim parash dhe trafikim droge.
Mësohet se ky grup përbëhej nga shtetas shqiptarë, italianë, spanjollë dhe marokenë. Grupi drejtohej nga shtetas italianë që përdornin dokumente të falsifikuara.
Bëhet me dije se nga ky operacion janë sekuestruar më shumë se 5.5mln euro dhe mbi 2 ton drogë.
Rezultatet e operacionit:
Janë kontrolluar 6 shtëpi në Sevilje të Spanjës
20 të dyshuar janë arrestuar
pasuri e sekuestruar me vlerë rreth 5.5 milionë euro
Sekuestrohen 2 ora luksoze dhe 16 545 euro cash
Sekuestrohen 2500 kilogramë hashash dhe 45.6 kilogramë marijuanë
sekuestrohet infrastruktura kriminale duke përfshirë kamionë, një varkë, mjete për kultivimin e marijuanës dhe prodhimin e hashashit dhe 34 telefona celularë
Zbulohet një plantacion i madh marihuane dhe një laborator droge
sekuestrohen dokumente të falsifikuara udhëtimi dhe identifikimi
Rrjeti kriminal përdori një sërë metodash të pastrimit të parave për të errësuar të ardhurat e tyre nga trafiku i drogës. Këto përfshinin kanalizimin e parave, përmes llogarive bankare të biznesit duke përdorur fatura false, kredi ose borxhe të tjera, midis një rrjeti kompanish të përfshira në transportin e drogës.
Metoda të tjera të përdorura ishin investimet në pasuri të paluajtshme luksoze, qira, mallra dhe automjete luksoze, si dhe pagesa me para në dorë.
Duke qenë se drejtuesit italianë të rrjetit kriminal ishin persona tv shapllur në kërkim, ata përdorën dokumente të falsifikuara për të mbuluar identitetin e tyre. Duke banuar në qytetet midis Seviljes dhe Malagës, ata u përpoqën të shmangnin zbulimin duke marrë masa të ndryshme sigurie dhe duke ndryshuar shpesh adresat e tyre.
Si u zbulua banda?
Hetimet për këtë rast nisën në tetor të vitit 2021, kur një ngarkesë hashashi u gjet e fshehur në një kamion që transportonte paleta me qepë. Forcat e rendit arrestuan dy drejtuesit e mjeteve dhe sekuestruan 468 kilogramë hashash. Kjo u pasua nga një tjetër sekuestrim i 194 kilogramëve hashash dhe 30 kilogramë marihuanë në maj të vitit 2022. Në të njëjtin muaj një varkë e marrë me qira nga organizata kriminale u kap nga forcat e rendit në det të hapur, duke rezultuar në arrestimin e tre pasagjerëve të saj. si dhe sekuestrimin e 1800 kilogramëve hashash dhe vetë mjetin lundrues.
Përgjimi i kësaj dërgese të madhe nga Maroku tregon se është bërë gjithnjë e më e vështirë për kriminelët që të importojnë drogë përmes detit. Për të anashkaluar këtë çështje, organizata kishte ndërtuar një laborator për prodhimin e hashashit dhe kishte ngritur një plantacion të madh marihuane në Spanjën jugore. Këto u zbuluan gjatë operacionit, ku u përfshinë më shumë se 150 zyrtarë të zbatimit të ligjit. Europol ofroi ekspertizë operacionale si dhe mbështetje analitike dhe operacionale që në fillim të hetimit. Për më tepër, një specialist i Europolit u vendos në vendndodhje në Spanjë gjatë ditës kryesore të aksionit.