Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), po e konsideron jo kushtetuese zgjedhjen e Blerim Isufajt në postin e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe të Kujtim Munishajt, në postin e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
Në një reagim të GLPS-së ka shprehur shqetësimin lidhur me procesin e emërimit të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
“Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) shpreh shqetësimin e saj lidhur me procesin e emërimit të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë (PTHP). Ky proces i menaxhuar tërësisht nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) paraqet tentativën e dytë të KPK-së për emërimin e kryeprokurorit të PSRK-së”, thuhet në reagimin e GLPS.
Më tutje kujtohen edhe reagimet e së kaluarës kur GLPS në gusht të këtij viti kishte reaguar për miratimin e rregullores për mënyrën e përzgjedhjes së kryeprokurorëve. Sipas këtij grupi kjo rregullore lë hapësirë të gjerë abuzimi me kandidaturat dhe nuk respekton parimin e barazisë para ligjit.
“Rikujtojmë që GLPS, me datë 21 gusht 2019, ka reaguar ndaj miratimit të kësaj rregulloreje meqenëse e njejta ka vlerësuar që “mënyra e përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit dhe kryeprokurorëve – siç është përcaktuar me këtë Rregullore të sapo-miratuar – lë hapësire të gjerë abuzimi me kandidaturat, dhe nuk respekton parimin e barazisë para ligjit, sigurisë juridike, meritës së përzgjedhjes dhe kompetencës ekskluzive të KPK-së për të konsideruar dhe refuzuar çdo kandidat që konkuron për një pozitë të tillë në mënyrë shtjerruese; klauzola e konfliktit të interesit dështon që të përfshijë gamën e gjerë të situatave të papërshtatshme që i parashikon Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit”. Kjo ngase, kjo Rregullore si e tillë ka lejuar dhe lejon emërimin e kryeprokurorëve përkatës duke abuzuar me kandidaturat, parimin e barazisë para ligjit etj., dhe për më tepër, kufizon gamën e gjerë të situatave të papërshtatshme që i parashikon Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, fakte që konsiderohet që kanë ndikuar direkt në emërimin e kryeprokurorëve përkatës në PSRK dhe PTHP”, thuhet në reagim.
Sipas këtij grupi, fakti që dy të emëruarit kanë marrë të gjitha votat pro, pa asnjë abstenim dhe asnjë votë kundër, është treguesi më i mirë për një marrëveshje më të gjerë për zgjedhjen e tyre.
“Më saktësisht, GLPS konsideron që mënyra e përzgjedhjes e përcaktuar me rregulloren e lartëpërmendur ka qenë jo kushtetuese ngaqë e njejta nuk ka garantuar parimin e barazisë para ligjit, sigurinë juridike dhe meritën e përzgjedhjes që duhet shoqëruar një proces të tillë. Njëkohësisht, fakti që të dy të emëruarit kanë marrë tërë votat e KPK-së, pa asnjë abstenim dhe asnjë votë kundër, është tregues i një marrëveshje më të gjerë për zgjedhjen e tyre, e jo një proces meritor. Prandaj, GLPS shpreh indinjaten e saj lidhur edhe me këtë proces të politizuar dhe jo meritor”, thuhet në njoftim./Gazeta Sinjali/