Pas superpërballjes së mbrëmshme mes Bashkimit dhe Borës, sonte zhvillohet një tjetër duel i madh në kuadër të gjysmëfinaleve të play-off-it, ai mes Trepçës dhe Pejës.
Përballja mes dy skuadrave të mëdha kosovare pritet të sjellë një sfidë të zjarrtë në parket.
Mitrovicasit kanë dominuar sezonin e rregullt, duke qenë liderë të elitës, si kampionë aktualë dhe fitues të Kupës së Kosovës, ndërsa Peja synon rikthimin te trofetë e rëndësishëm.
“Xehetarët” e kanë mbyllur sezonin me 25 fitore dhe tri humbje, ndërsa skuadra e Pejës ishte e pesta në Superligë, por në çerekfinale, pas tri ndeshjeve, eliminoi Golden Eagle Yllin.
Trepça ka fituar gjashtë herë titullin kampion, përfshirë dy vitet e fundit, ndërsa Peja numëron pesë tituj kampioni, të fundit në vitin 2023.
Ndeshja zhvillohet sonte:
19:30 Trepça – Peja
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!