image Gjykimi i Salih Mustafës, dëshmitari i dytë: Nuk kam njohuri që është mbajtur ndonjë person i ndaluar në Zllash

Drejtësi

Gjykimi i Salih Mustafës, dëshmitari i dytë: Nuk kam njohuri që është mbajtur ndonjë person i ndaluar në Zllash

news image

Dëshmitari i dytë i mbrojtur në rastin e Salih Mustafës ka thënë se nuk ka njohuri nëse ndonjë person është mbajtur i ndaluar në kompleksin në Zllash.

Ai derisa i është përgjigjur pyetjeve të avokatit mbrojtës të Mustafës, ka thënë se nuk ka dëgjuar ndonjëherë për diçka të tillë.

Avokati Von Bone: Zoti dëshmitar, me aq sa di ti a është mbajtur ndonjë person i ndaluar ndonjëherë në kompleksin e Zllashit?

Dëshmitari: Nuk e di që është mbajtur, nuk kam njohuri që ka pasur diçka të tillë aty.

Avokati Von Bone: A ke dëgjuar nga të tjerët për një gjë të tillë ndonjëherë?

Dëshmitari: Nuk kam dëgjuar asnjëherë.

Dëshmitari i mbrojtur ka thënë se pjesëtarët e njësisë BIA kanë bartur uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Avokati e ka pyetur dëshmitarin se nga e di ai që baza ishte nën kontrollin e BIA-s.

Avokati Von Bone: Baza për të cilën ke folur, a ke dijeni ti nëse ka qenë nën kontrollin e njësisë BIA? Nga e di ti këtë që kjo bazë ishte nën kontrollin e BIA-s, baza për të cilën folëm më herët?

Dëshmitari: Po të kundërpërgjigjem në pyetje, nga e di kush është kryetar i komunës këtu në këtë vend, ju nga e dini.

Këtu ka ndërhyrë kryetarja e trupit gjykues duke i kërkuar dëshmitarit që të përgjigjet dhe jo të bëjë pyetje.

Shumë thjeshtë, e kemi dit se BIA ka qenë baza e skifterëve ka qenë në atë pjesë atje, e ka ditë çdo ushtar, e kam ditë edhe unë, ndoshta edhe shumë qytetarë e ka ditë që ka qenë baza e BIA, ata kanë komanduar në atë pjesë aty, në atë lokacion”, ka thënë dëshmitari.

Ndërsa avokati e ka pyetur nëse ka diskutuar ndonjëherë me Salih Mustafën nëse ai apo njësia e tij e kontrollonte lokacionin në Zllash.

Avokati Von Bone: A ke diskutuar ndonjëherë me zotin Mustafa, që ai ose njësia e tij kontrollonte lokacionin në Zllash?

Dëshmitari: Këtë pyetje që po e bënë është sikur me u qua me i thënë mësuesit jo nuk është kështu, por kështu.

Ndër të tjera, dëshmitari ka thënë se BIA nuk kishte ndonjë bazë tjetër përveç asaj në Zllash dhe ka shtuar që nuk i ka takuar ata në ndonjë tjetër vend.

Dëshmitari: Nuk kam pasur mundësi të shkoj në Prishtinë.

Nuk di asgjë më shumë se veç ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ka qenë njësitë i ushtrisë Çlirimtare të Kosovës por u thirr me BIA, por faktikisht ne më shumë i kemi thënë Skifterët”, ka thënë dëshmitari kur është pyetur se çka di rreth BIA-s.

Ai ka shtuar se shtabi i përgjithshëm i Brigadës 153 ka qenë në shkollën e Zllashit.

Avokati Von Bone: Cili ishte pozicioni i Rrahman Dinit?

Dëshmitari: Sa e di unë pozicioni i Rrahman Dinit ka qenë shef i shtabit të brigadës, aq sa e di unë.

Avokati Von Bone: Ku ndodhej, ku ishte i lokalizuar?

Dëshmitari: Shtabi i brigadës ka qenë në shkollën e Zllashit.

Avokati Von Bone: Njësia BIA a ishte në të vërtetë një njësi që bënte pjesë në brigadën 153?

Dëshmitari: Njësia BIA nuk ishte pjesë e brigadës 153, por ishte pjesë e zonës Operative të Llapit.

Avokati Von Bone: BIA a kishte ndonjë autoritet mbi policinë ushtarake, a kishte BIA autoritet mbi brigadën?

Dëshmitari: Nuk e di, jo nuk e besoj.

Dëshmitari i dytë i mbrojtur në rastin e Salih Mustafës, është marrë në pyetje në seancë të mbyllur nga mbrojtësja e viktimave derisa edhe në pyetjet e avokatit mbrojtës seanca ka qëndruar e mbyllur në të shumtën e kohës.

Dëshmitari i dytë do të paraqitet edhe të hënën para trupit gjykues.

Dëshmitari W04600 është përgjigjur edhe në pyetjet e prokurorit, në pjesën e parë të seancës, të cilit i ka thënë se komandant Cali ka bartur një kapele të kuqe dhe ka qenë në uniformë të UÇK-së në të shumtën e kohës.

Në këtë seancë të cilën Salih Mustafa e ka përcjell përmes video-lidhjes, dëshmitari ka thënë se nuk ka njohur se kush ka qenë eprori i drejtpërdrejtë i komandant Calit, por ka shtuar se ai ka pasur një zëvendës të njohur si “Dardani”.

Ndërsa dëshmitari i parë i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër Salih Mustafës, W03593 e ka përfunduar dëshminë e tij dje, i njëjti kishte dëshmuar për katër ditë më radhë në Dhomat e Specializuara.

Salih Mustafa, i njohur në luftë si komandant Cali, është i arrestuari i parë nga Specialja dhe ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, raporton KP.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm. /GazetaSinjali/