image Gjykatësja pyet dëshmitarin pse deklaroi ndryshe për UNMIK-un më 2006

Drejtësi

Gjykatësja pyet dëshmitarin pse deklaroi ndryshe për UNMIK-un më 2006

news image

Gjykimi ndaj Salih Mustafës po vazhdon sot për të katërtën herë radhazi, ku trupi gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë, po merr në pyetje dëshmitarin.

Gjyqtarja Mappie Veldt Foglia ka kërkuar disa herë sqarime nga dëshmitari për një deklaratë që ky i fundit e kishte dhënë më 2006 para UNMIK-ut, të cilën e kishte ndryshuar vite më vonë.

Deklarata për të cilën u pyet dëshmitari kishte të bënte me ushtarët në Zllash, në vendin ku dëshmitari pretendon se është mbajtur dhe se ka deklaruar se i kishte parë me maska, por të njëjtën deklaratë kur e kishte dhënë për herë të parë kishte thënë se nuk i kishte parë.

“Po ju pyes sepse përpara UNMIK-ut në 2006 ju thatë se kishte një person që kishte vënë një maskë që jua vendosi pistoletën. Pse ke thënë se kishte një person me maskë? Ti ke thënë që personi kishte maskë dhe këtu po thua që nuk ka pasur maskë. Pse ke thënë ndryshe më 2006”, tha gjykatësja.

Kurse, dëshmitari i tha asaj se nuk e mban në mend se çfarë ka thënë.

“Ndoshta kam thënë, por nuk besoj që ka pasur maskë, nuk kam mundur ta shikoj. Kam harruar ndoshta kam thënë, por tash po them se nuk e kam parë me maskë”.

Por, gjyqtarja nuk u mjaftua nga kjo përgjigje dhe kërkoi sërish ta kuptoj arsyen se pse dëshmitari nuk kishte dhënë emrin e personit përgjegjës në deklaratën e vitit 2006 për UNMIK-un.

“Në deklaratën tuja ditët e fundit, ju thatë që pas një muaji pasi u liruat kur ishit në Zllash se ti mësove se cili ishte emri i komandantit në vendin ku mbaheshe. Në të njëjtën deklaratë ti the që në deklaratën e 2006, jo pasi u lirove por disa muaj pas kur ti se dije kush ishte përgjegjësi. A mund të na shpjegosh që.. pardje the që pas një muaji e mësove kush ishte personi përgjegjës por para UNMIK-ut ke thënë se nuk e di kush është personi përgjegjës. Pse nuk ke thënë atëherë (2006) emrin që kishe mësuar”, shtoi gjykatësja.

Dëshmitari u përgjigj se është pyetur “nja 200 herë” dhe se nuk e mban mend çfarë ka thënë.

Gjykatësja i tha se ndërrimi i deklaratave nga dikush mund nënkuptohet sikur po gënjen, porse dëshmitari përsëriti se ka harruar çfarë ka thënë.

/Gazeta Sinjali/