Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë së Veriut, i ka dorëzuar Gjykatës Themelore “Shkupi1” kërkesën e Serbisë, për ekstradimin e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomorr Morina.
Siç bëhet e ditur nga gjykata, ministria ka dorëzuar gjithë dokumentacionin lidhur me procedurën e ekstradimit të Tomorr Morinës, të cilit më 25 korrik, iu caktua masa e paraburgimit.
Gjykatësi i procedurës paraprake do të veprojë në përputhje me dispozitat ligjore dhe mendimin do ta dërgojë në gjykatën kompetente, që të vendos dhe e cila më pas përgjigjen do t’ia dërgojë ministrisë së Drejtësisë, që është përgjegjëse për procedurën e mëtejmë të ekstradimit.
Gjykata penale gjithashtu njoftoi se i ka lejuar një delegacioni të ambasadës së Kosovës që të vizitojë Morinën, i cili ndodhet në burgun e Shkupit.
Morina ishte arrestuar nga policia maqedonase më 24 korrik, në bazë të një fletarresti të Interpolit, të lëshuar me kërkesë të Serbisë.
Morina dyshohet nga ana e autoriteteve të Serbisë se para 20 viteve, si pjesëtar i UÇK-së, ka bërë krime kundër popullatës civile në Kosovë.