image Gjykata vendos për zyrtarin që dyshohet se avulloi 2 milionë euro nga Thesari i Shtetit

Siguri

Gjykata vendos për zyrtarin që dyshohet se avulloi 2 milionë euro nga Thesari i Shtetit

news image

Është caktuar masa e paraburgimit ndaj Labinot Grudës, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorim i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar’ nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji duke filluar prej datës 21 tetor 2020 deri me datën 21 nëntor 2020.

Njoftimi i plotë:

Prishtinë, 22 tetor 2020 – Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit L.G për shkak të veprës penale Keqpërdorimi i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Të pandehurit L.G i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një)  muaji duke filluar prej datës 21 tetor 2020 gjerë me datë 20 nëntor 2020.

Gjyqtari e procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës gjeti se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e paraburgimit është e bazuar dhe paraburgimi i është caktuar në bazë të nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPK-së.

Të pandehurit L.G i është caktuar masa e paraburgimit, pasi që  i njëjti mund të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe në këtë mënyrë do të jetë i paarritshëm për organet e drejtësisë, mund të pengon rrjedhjen e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitar dhe bashkëpjesëmarrës tjerë, andaj caktimi i masës së paraburgimit për të pandehurin L.B  është masë adekuate për sigurimin e pranisë së tij në procedurë penale.

I pandehuri L.B dyshohet se me datë 09 tetor 2020 në cilësinë e personit zyrtar ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke realizuar transaksione në vlerë prej 2,077,995.90 euro në adresë të një kompanie, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në shumë prej 2,077,995.90 euro dhe me këtë dyshohet se ka kryer veprën penale Keqpërdorimi i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Palët kanë të drejtën e këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

/Gazeta Sinjali/