image Dogana humb betejën në Gjykatë, ky është biznesi që s'mund të importojë ‘Coca-Cola’, ‘Fanta’ dhe ‘Sprite’ pa autorizim

Drejtësi

Dogana humb betejën në Gjykatë, ky është biznesi që s’mund të importojë ‘Coca-Cola’, ‘Fanta’ dhe ‘Sprite’ pa autorizim

news image

Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 3 nëntor 2021,  sipas të cilit i është ndaluar kompanisë “Frutin Company” që të importojë pijet “Coca Cola”, “Fanta” dhe “Sprite”, pa marrë autorizimin apo pëlqimin përkatës.

Sipas vendimit të Apelit, të siguruar nga Gazeta Sinjali, është hedhur poshtë ankesa e Doganës së Kosovës, kundër aktvendimit të GJTHP, si e palejuar. Apeli ka urdhëruar Doganën e Kosovës që t’i ndalojë, konfiskojë dhe të mos i lirojë për qarkullim të lirë në tregun e Kosovës të gjitha produktet “Coca-Cola”, “Fanta” dhe “Sprite”, që importohet nga kompania “Frutin Company”.

Në vendim thuhet po ashtu se urdhërohet Inspektoriati për mbikëqyrjen e tregut të konfiskojë dhe të largojë nga tregu i Kosovës të gjitha produktet e “Coca Cola”, “Fanta” dhe “Sprite”, të importuara nga kompania “Frutin Company” apo nga cilado shoqëri tregtare tjetër pa autorizimin përkatës, shkruan Gazeta Sinjali.

Gjithashtu, Gjykata e Apelit ka refuzuar propozimin e “Coca Cola Company”, e cila kishte kërkuar që të vërtetohet se kompania “Frutin Company” ka importuar dhe ka vendosur në tregun e Kosovës 18 mijë e 432 shishe (200 ml) të pijes “Coca Cola”, 3 mijë e 70 shishe (200 ml) të pijes “Fanta” dhe 307 shihe  të pijes “Sprite”, pa autorizim apo pëlqim të kompanisë.

Apeli ka refuzuar edhe propozimin tjetër të kësaj kompanie e cila ka kërkuar që të konstatohet se kompania “Frutin Company”, me importimin e pijeve pa autorizim në tregun e Kosovës, ka shkelur markën e regjistruar në Kosovë.

Apeli ka detyruar kompaninë “Frutin Company”, Inspektoratin e Tregut, si dhe Doganën e Kosovës që të zbatojnë këtë vendim, deri në vendosjen meritore dhe të plotfuqishme të kësaj çështjeje gjyqësore.

/GazetaSinjali/