image Gjykata ua vazhdon paraburgimin tre të dyshuarve për shtytje në vetëvrasjen e 37-vjeçarit nga Lipjani

Siguri

Gjykata ua vazhdon paraburgimin tre të dyshuarve për shtytje në vetëvrasjen e 37-vjeçarit nga Lipjani

news image

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar edhe nga dy muaj paraburgim, Skender Tashollit,  Albion Tashollit dhe Ekrem Gashit, të cilët dyshohen për shtytje në vetëvrasjen e 37-vjeçarit, Bashkim Salihu, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali kishte raportuar se Bashkim Salihu ishte gjetur pa shenja jete mëngjesin e 14 majit në Çagllavicë. Ai dyshohet se i kishte dhënë fund jetës për shkak të presionit dhe gjendjes së rënduar emocionale.

Skender Tasholli dhe Albion Tasholli, babë e bir nga Lipjani, ishin arrestuar gjatë një aksioni të madh të Policisë në rajonin e Prishtinës më 14 maj, si të dyshuar për veprën penale “Shtytje në vetëvrasje”.

Ndërkaq, Ekrem Gashi, i njohur me nofkën “Hekri”, ndodhej në kërkim policor për veprat penale “Fajde” dhe “Shtytje në vetëvrasje”, me ç’rast ishte arrestuar nga autoritetet shqiptare dhe përmes procedurave të ekstradimit ishte sjellur në Kosovë.

Sinjali kishte raportuar se emrat e tre të dyshuarve për shtytjen në vetëvrasje të 37-vjeçarit Bashkim Salihu, ishin zbuluar përmes letrës që e kishte lënë i ndjeri, të cilën e kishte shkruar pak para se ta kryente aktin e rëndë.

Në atë letër përmenden emrat e tre të dyshuarve, por identiteti i dy prej tyre doli në dritë edhe përmes video incizimeve të marra nga biznesi i Salihut.

“Ekziston dyshimi i bazuar se personat e dyshuar Skender Tasholli, Albion Tasholli dhe Ekrem Gashi në mënyrë të vazhdueshme i kanë bërë presion viktimës të kontrakton një shumë dukshëm jopropercionale të pasurisë në këmbim të shërbimit të personit tjetër duke e shfrytëzuar gjendjen e rendë financiare të personit të tillë, ku kanë kërkuar shuma të parave me fajde dhe për shkak të presionit dhe kërcënimeve ka shtytë B.S të kryej aktin e vetëvrasjes”, thuhej në kërkesën e Prokurorisë për paraburgim ndaj tre të dyshuarve të lartpërmendur.

/GazetaSinjali/