image Apeli ua rrit dënimin pesë të dënuarve për fajde nga familja Kqira

Kosovë

Drejtësi/ Apeli ua rrit dënimin pesë të dënuarve për fajde nga familja Kqira

news image

Gjykata e Apelit ua ka rritur dënimin 4 anëtarëve të familjes Kqira dhe një personi tjetër, të dënuar nga Gjykata Themelore në Prizren për veprat penale “organizim i sekmave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” dhe “armëmbajtje pa leje”, shkruan Gazeta Sinjali.

Gjykata e Apelit i ka shpallur fajtorë për veprat “detyrim” dhe “fajde” Tunë Kqirën, Kastrito Kqirën, Gjon Kqirën, Marjan Kqirën, Gjekson Kqirën, Gëzim Kqirën dhe Beznon Buzën, të cilët për këto vepra ishin shpallur të pafajshëm nga gjykata e shkallës së parë.

Këtë për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari.

“Sa i përket pjesës livruese, aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren, i datës 24.05.2019, është ndryshuar ashtu që të akuzuarit janë shpallur fajtor nga ana e kësaj gjykata për veprat penale “Detyrim” dhe “Fajde” nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës dhe janë dënuar: T.K. dhe K. K më nga 5 vjet burgim dhe 20 mijë euro gjobë; Gj.K. me 3 vjet e 6 muaj burgim dhe 10 mijë euro gjobë; M.K më 3 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë; B.B më 5 vjet burgim dhe 20 mijë euro gjobë; Gjk. K. më 3 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë dhe G.K më 3 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë”, thuhet në përgjigjen e Jasharit.

Po ashtu aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, është ndryshuar edhe për veprat për të cilat ata janë shpallur fajtorë, sa i përket vendimit mbi dënim. Të akuzuarit B.O. i është shqiptuar dënimi më burgim në kohëzgjatje prej 5 vjetësh, për shkak të veprës penale “Detyrim”. KPRK-së. Të akuzuarit T.K. dhe Gj.K janë dënuar secili më nga 2 vjet e 8 muaj burgim për shkak të veprës penale “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” Po ashtu tre të lartcekurit, se bashku më të akuzuarit M.K. dhe K.K. janë dënuar më nga 5 mijë euro gjobë, për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të pa autorizuar të armëve”.

Gjykata e Apelit me dënim unik ka vendosur që nga 5 vjet burgim Tunë Kqirës, i cili sipas aktakuzës i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi, t’ia rris dënimin në 7 vjet burgim dhe 20 mijë euro gjobë për veprat penale “detyrim” dhe “fajde”.

Kurse, Gjon Kqirës, i cili atëkohë ishte dënuar me 2 e vjet e 5 muaj burgim për veprën penale “organizim i skemave piramidale” dhe 1 mijë e 500 euro gjobë për “armëmbajtje pa leje”, dënimi i është rritur në 5 vjet burgim dhe 20 mijë euro gjobë.

Në 5 vjet e gjashtë burgim dhe 15 mijë euro i është rritur dënimi Kastriot Kqirës, i cili më 24 maj të vitit të vitit të kaluar ishte dënuar me 3 vjet burgim për veprën penale “fajde” dhe me 1 mijë e 500 euro gjobë për veprën penale “armëmbajtje pa leje”.

Gjykata e Apelit me këtë aktgjykim e ka dënuar me 3 vjet burgim dhe 10 mijë euro gjobë Marjan Kqirën, i cili vitin e kaluar nga Gjykata Themelore në Prizren për këtë rast ishte dënuar me 1 mijë e 500 euro gjobë vetëm për veprën “armëmbajtje pa leje”.

Ndërsa Benson Buza, i cili ishte dënuar me 2 vjet e 5 muaj burgim për veprën penale të detyrimit, ndërsa për veprën penale “armëmbajtje pa leje” u dënua me 1 mijë e 500 euro nga Gjykata Themelore në Prizren, tani pas shpalljes fajtor për “fajde” dhe “detyrim” nga Apeli, dënimi i është rritur në 5 vjet burgim dhe 25 mijë euro gjobë.

Me këtë aktgjykim, Apeli ka vendosur po ashtu që Themelorja të kthejë në rigjykim rastin lidhur me veprën “shpëlarje e parave”, vepër për të cilën të akuzuarit vitin e kaluar nga kjo e fundit ishin shpallur të pafajshëm.

“Lidhur më veprën penale “ Shpëlarje e parave” çështja i është kthyer gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe rivendosje. Të akuzuarve T.K., K.K.,Gj.K, B.B. dhe B.O, u është caktuar masa e paraburgimit , e cila masë do t’iu llogaritet nga data e arrestimit, por jo me gjatë se dënimi i shqiptuar”, thuhet në përgjigjen e Apelit.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me palën mbrojtëse të Tunë Kqirës, për të kuptuar nëse janë njoftuar dhe kanë pranuar shkresat nga Gjykata e Apelit lidhur me këtë aktgjykim.

Avokati Skender Musa tha se me këtë rast rast Gjykata në fjalë ka shkelur ligjin, përshkak se nuk ua ka dërguar shkresat e lëndës me kohë dhe kjo sipas tij është në kundërshtim me protokolet e Kombeve të Bashkuara, Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Kodin e Procedurës Penale të Kosovës.

“Gjykata ka bërë shkelje, sepse aktgjykimin është dashtë me na e dërgu në kohë të arsyeshme. Kjo çështje është e rregullume edhe me protokolle të Kombeve të Bashkuara edhe me Konventën Evropiane edhe me Kod të Procedurës Penale. Mirëpo, gjykatat e Kosovës, në shumicën e rasteve, janë duke i shkelur të drejtat e të akuzuarve për mbrojtje dhe në këtë rast mendoj se i kanë shkelë në mënyrë drastike, për shkak se ne nuk e kemi marrë aktgjykimin, përkundër faktit që këta kanë vendosë, sipas informacioneve që i kemi, në fillim të majit. Kështu ju ka mohu të drejtën e akuzuarve për me u mbrojtë, për me i ushtru të drejtat e tyre të ankimit”, tha Musa.

Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza kanë vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.

Në aktakuzën thuhet se grupi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde. Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda, i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm jo proporcionale, ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre./Gazeta Sinjali/