Kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi, ka bërë të ditur se sot ka pranuar një ftesë për t’u paraqitur në Zyrën e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë.
Ai thotë se është i vetëdijshëm se rrugë tjetër për çlirimin e popullit shqiptar përveç luftës së armatosur nuk ka, pasi kjo është mënyra e vetme për të hequr robërinë popujt e pushtuar.
Latifi në një postim në rrjeti social Facebook, thotë se luftërat çlirimtare sikurse ajo në Kosovë nuk mund të gjykohen pasi përmbajnë në vete parimin e shëndoshë të humanizmit dhe të drejtësisë.
“I bindur në këtë pikëpamje, gjithnjë jam munduar që të bëj më të mirën për vendin tim, pa i cenuar vlerat morale të kombit shqiptar, të dëshmuara në luftë dhe në paqe. Jam thellësisht i bindur se asnjë forcë në botë nuk do të arrijë të përbalt luftën tonë të drejtë çlirimtare, sepse mbi çdo skenar dashakeqës qëndron parimi i popujve për liri dhe të drejta kombëtare. Prandaj, luftërat çlirimtare nuk mund të gjykohen, sepse përmbajnë në vete parimin e shëndoshë të humanizmit dhe të drejtësisë. Parime këto të përqafuara dhe të përfaqësuara nga kombet e civilizuara e të përparuara të botës perëndimore”, shprehet Latifi.
Për më tepër, ai beson në drejtësinë duke thënë se asnjëherë nuk do të hezitojë të vihet në mbrojtje të të drejtës për liri e dinjitet njerëzor e kombëtar dhe do të jetë i gatshëm të përballet me çdo lloj sfide.
“Mbetem i përkushtuar në sendërtimin e idealeve të kombit shqiptar dhe nga kjo rrugë nuk ka forcë që të më shkëpusë”, tha kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi. /Gazeta Sinjali/