Gjykata në Serbi ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për mërgimtarin kosovar, Nezir Mehmetaj, raporton Gazeta Sinjali.
Vendimin për paraburgimin prej 30 ditësh ndaj Mehmetajt, që nga gjykatat në Serbi akuzohet për ‘krime lufte kundër civilëve;, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, e ka quajtur marrëzi.
“Zëvendëskryeministri i Parë, njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, z.Behgjet Pacolli, dënon vendimin e Gjykatës së Beogradit për paraburgimin prej 30 ditësh të Nezir Mehmetajt. Ministri Pacolli tha se kjo marrëzi duhet të marrë fund”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.
MPJ thotë se është në kontakt me Brukselin dhe se kanë alarmuar Bashkimin Evropian për arrestimin e Mehmetajt, “si dhe praktikën e vazhdueshme nga Serbia të ndalimit të shtetasve kosovarë”.
“Serbia nuk mund të pengojë më pafund lëvizjen e lirë të njerëzve dhe duhet të ndalojë me përndjekjet dhe arrestime politike të shtetasve kosovar”, ka shtuar Pacolli.
“Ministria e Punëve të Jashtme mbetet e angazhuar në mënyrë aktive për të siguruar lirimin e z. Neziraj dhe kthimin e tij në familje”, thuhet më tej në njoftim.
Mehmetaj ka afro 30 vite që jeton në Zvicër. Ai kishte ardhur në Kosovë për shkak se nëna e tij ishte e sëmurë. Në Serbi kishte shkuar për disa analiza që ishte duke i bërë nëna e tij. /Gazeta Sinjali/