image Gjykata merr vendim për zyrtarin policor që dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Drejtësi

Gjykata merr vendim për zyrtarin policor që dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare

news image

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë ndaj zyrtarit policor, Ajet Dakaj, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit’, raporton Gazeta Sinjali.

Në një përgjigje për Sinjalin, nga Gjykata bëjnë me dije se Dakajt i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj.

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.D. Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.D e ka aprovuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

Kujtojmë se sipas informacioneve të Sinjalit, Dakaj i cili ishte i njësitit antiterror, ishte i përfshirë në një grupi kriminal të cilët dyshohen për tentim vrasje, rrahje, detyrim, zjarrvënie e vepra të tjera kriminale.

Në janar të këtij viti, Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë, rezultoi me arrestimin e katër personave që dyshohen të jenë përfshirë në veprimtari kriminale që një periudhë të caktuar.

Ky grup dyshohet se ka operuar me pagesë, për t’u angazhuar me para për rrahjen e personave të caktuar. Hetimet e zhvilluara deri më tani kanë zbuluar së paku 6 persona, të cilët janë identifikuar si subjekt i “trajtimit” nga ky grup.

Të dyshuarit kanë kryer veprimtari kriminale me porosi, varësisht nga vepra që kanë kryer. Të dyshuarit e kanë caktuar çmimin varësisht prej intensitetit të plagosjes, rrahjes, djegies së veturës e të tjera.

Anëtarët e këtij grupi kriminal janë kapur gjatë aksionit të zhvilluar nga Policia në disa lokacione në Rajonin e Prishtinës, në asistim me Njësinë Speciale dhe Njësinë e Reagimit të Shpejtë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/