Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj ish-infermiereve Aurona Pelaj, Altina Rexhepi dhe Remzie Kuqi, për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘sulmi’, në rastin e të moshuarës në Qendrën e Pleqve ‘Orenda’ në Pejë, raporton Gazeta Sinjali.
Ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh “pasi që gjyqtari i procedurës paraprake, në vlerësim të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë për caktim të masës së paraburgimit ndaj të pandehurave konstatoi se ekziston dyshimi i bazuar se të njejtat e kanë kryer veprën penale që ju vihet në barrë ngase ky dyshim mbështetet në provat që janë dorëzuar nga prokuroria dhe se me gjetjen e mundshme të pandehurave në liri ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitarë të cilët janë pjesë e stafit të shtëpisë së kujdesit shëndetësor ku ka ndodhur vepra penale e të cilët nuk janë identifikuar dhe deklaruar ende, si dhe ndikimit në deklaratën e të dëmtuarës pasi që e njëjta është në gjendje të rënduar shëndetësore dhe nuk është deklaruar ende. “
Po ashtu, “gjykata ka vlerësuar se me lënien e të pandehurave në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale apo i kryerjes së ndonjë vepre të re penale, duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilën është kryer vepra penale, shkallën e lartë të pjesëmarrjes së të pandehurave, si dhe faktin se në mediat e vendit qarkullon edhe lajmi se dëshmitarja e cila ka shpërndarë videon me përmbajtje të veprimeve të të pandehurave ka pranuar mesazhe kërcënuese, që në këtë fazë dyshohet se janë dërguar nga të pandehurat ose personat e shtyrë nga to.”
Por çfarë thuhet në kërkesën për paraburgim – cili është arsyetimi i Prokurorisë?
Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit ndaj tri të dyshuarave, të cilat janë ndaluar pasi dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi”. Ndaj tyre, Policia ka parashtruar kallëzim penal, pas marrjes në pyetje të infermiereve të dyshuara, sekuestrimit të disa sendeve (telefonave) që do shfrytëzohen si prova, si dhe pamjeve të publikuara.
Të dyshuarat sipas Prokurorisë, nëse mbrohen në liri, ekzistojnë rrethana që mund të ndikojnë te dëshmitarët që ende nuk janë deklaruar, siç është një pjesë e stafit të qendrës “Orenda”, te punëtorja tjetër e suspenduar, e cila ka qenë dëshmitare e ngjarjes, si dhe te vet viktima.
Arsyetimi i infermiereve për dhunën e ushtruar ndaj të moshuarës
Pas fillimit të procedurës penale ndaj të dyshuarave dhe mbledhjes së informacioneve dhe provave të tjera, Prokuroria vlerëson se të dyshuarat në dhënien e deklaratave u kanë dhënë shkas veprimeve të tyre në përdorim të forcës, me arsyetimin se kanë pasur qëllim vënien në kontroll të viktimës.
Kërcënimet ndaj aktores që publikoi pamjet – pjesë e dosjes së Prokurorisë
Në dosjen e Prokurorisë po ashtu janë përmendur edhe kërcënimet që ka pranuar aktorja, Kaltrinë Zeneli, e cila që ka shpërndarë e para pamjet e tmerrshëm të rrahjes të së moshuarës, duke vlerësuar se ekziston rreziku se të dyshuarat mund ta përsërisin veprën penale ose të vijë deri të kryerja e ndonjë vepre tjetër.