image Gjykata merr vendim për tre të dyshuarit që rrahën pa arsye trajnerin e fitnesit në Gjilan

Drejtësi

Gjykata merr vendim për tre të dyshuarit që rrahën pa arsye trajnerin e fitnesit në Gjilan

news image

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të këtij rajoni, duke ua caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditësh të pandehurve B. T., A. T. dhe A. S. që sulmuan fizikisht Flamur Grabovcin, trajnerin e fitnesit në Gjilan, shkruan Gazeta Sinjali.

Në njoftimin e gjykatës thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit pa kurrfarë shkaku e kanë goditur Grabovcin, në mënyrë të pamëshirshme me boksa dore dhe këmbë, duke treguar kështu shkallë të lartë të disponimit kriminal ndaj integritetit trupor të trajnerit.

Gjykata përmend edhe revolen e të pandehurit B.T., e cila iu gjet në çantë dhe iu sekuestrua nga policia, si dhe shufrën e gomës së A.S., të cilën e cilëson si mjet i përshtatshëm për marrjen e jetës ose shkaktimin e lëndimeve të rënda ndaj Grabovcit.

Me këto veprime, gjykata vlerëson se i pandehuri B. T., si i vetëm ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa në bashkëveprim dyshohet kanë kryer veprën penale “lëndim i rëndë trupor” vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka refuzuar kërkesën e mbrojtësve të të pandehurve, për caktimin e masave alternative, duke konsideruar se caktimi i masës së paraburgimit krijon kushte për zhvillimin me sukses të procedurës penale”, thuhet tutje në njoftim.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.​/Gazeta Sinjali/