Policia në Shqipëri njoftoi mbrëmjen e së mërkurës se ka zbuluar 45.5 kilogramë kokainë midis një ngarkese me mish pule të ardhur nga Brazili në Portin të Durrësit me destinacion Maqedoninë e Veriut.
Droga sipas policisë ishte fshehur brenda një kontejneri frigorifer.
Lidhur me rastin, policia ka arrestuar dy të dyshuar të cilët janë lënë sot në burg.
Gjykata e Durrësit caktoi arrest në burg pa afat për Arben Ferizin, administratorin e kompanisë për të cilën mbërriti në portin e Durrësit kontejneri me mish pule brenda të cilit u gjet kokaina.
E ndërsa Ferizi u la në burg pa afat deri në përfundim të hetimeve, për Egert Vargun, agjentin doganor është vendosur masa arrest në burg me afat 18 ditor, kohë e mjaftueshme sipas gjykatës për të përcaktuar rolin e tij në trafikun e mbetur në tentativë të kokainës që do të kalonte transit nga porti i Durrësit drejt Maqedonisë së Veriut, raporton TCh.
Ngarkesa me mish pule ishte porositur në Brazil nga kompania e përpunimit të mishit “Apetit Group” me qendër në Kosovë dhe degë të saj në Maqedoninë e Veriut.