Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar sot masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit S.G., për pesë vepra të ndryshme penale, raporton Gazeta Sinjali.
S.G., dyshohet për “Mashtrim”, “Shantazh”, “Prezantim të rremë si person zyrtar”, “Falsifikim të dokumenteve”, “Manipulim të provave”.
“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit S.G. e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Ekziston dyshimi i bazuar se S.G., më 30 korrik të këtij viti në “Hib Petrol”, në Prishtinë, i ka vënë në lajthim familjarët e Bedri Rexhepit, i cili është i zhdukur që nga 8 prilli, duke paraqitur fakte të rreme, për gjoja gjetjen e tij, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore, në atë mënyrë që ka kontaktuar përmes messengerit me vëllain e Bedriut, V., duke u prezantuar si agjent i CIA-s amerikane.
Ai ka aranzhuar një takim me ta, ku është prezantuar me emrin Ardian O’Neil Bajraktari, duke ja prezantuar një ID kartelë të falsifikuar në shpejtësi, duke i thënë së është i gatshëm ta gjejë vëllain dhe ka kërkuar që komunikimi të bëhet përmes e-malit [email protected] dhe pas shkëmbimit të disa e-maleve, i dyshuari i ka thënë të dëmtuarit V.R. se ka komunikuar me autoritetet në Serbi dhe ka kuptuar se vëllai i tij i zhdukur gjendet në burgun e Nishit në Serbi.
Gjoja për ta nxjerrë nga aty Bedri Rexhepin, ai u ka thënë familjarëve të tij se fillimisht i nevojiten 3000 deri 4000 euro dhe me qëllim që ta bind V.R., i njëjti ja ka dërguar disa e-maile në gjuhën serbe dhe angleze se kinse e ka konfirmuar nga zyrtarët e Serbisë, ku këtë komunikim ja ka përcjell tani të dëmtuarit V.R., duke cekur se këtë komunikim e ka kthyer qeveria e Serbisë në emër të Milorad Petkoviq, ku më pas e kanë lënë të takohen më datë 02.8.2021, për t’i marrë paratë te Hib Petroli. afër stacionit të autobusëve.
Aty i dyshuari është ndaluar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës./Gazeta Sinjali/