image Gjykata merr vendim për Rrahim Hashimin dhe Kadri Rexhepin

Kosovë

Drejtësi/ Gjykata merr vendim për Rrahim Hashimin dhe Kadri Rexhepin

news image

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vazhduar gjatë ditës së sotme masën e paraburgimit ndaj dy të akuzuare për mashtrim, Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi në aferën e njohur si fajde.

Çështja e vazhdimit të paraburgimit ndaj dy të akuzuarve, ishte kthyer në rivendosje nga Gjykata Supreme, pasi që kjo e fundit kishte aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të ushtruar nga mbrojtësit e të akuzuarve.

Fillimisht Gjykata Themelore e Prishtinës, kishte vendosur ndaj dy të akuzuarve masën e paraburgimit prej dy muajve.

Në këtë seancë dëgjimore, prokurorja Rukije Shashivari, tha se mbetet pranë kërkesës për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Rrahim Hashimit dhe Kadri Rexhepit.

Avokati Agon Rrecaj, tha se arsyet për të cilat prokuroria ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit ndaj të mbrojturit të tij, Rrahim Hashimi, nuk gjejnë mbështetje në prova konkrete, por janë arsyetime abstrakte.

Ai tha se nuk ekziston rreziku i ikjes së të mbrojturit të tij, Hashimi, me arsyetimin se kjo vepër dyshohet të jetë kryer në vitet 2011-2012, dhe që nga ajo kohë, i mbrojturi i tij ka pasur rastin të largohej, po të dëshironte.

Sipas prokurorisë, në periudhën kohore prej 30 dhjetor 2011, deri më 24 korrik 2012, në Prishtinë, në zyrën e të dëmtuarit Faton Dalladaku, e cila gjendet në rrugën “Perandori Justinian”, në lagjen “Pejton”, të pandehurit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi, së bashku me të pandehurin tjetër Ekrem Lika, i cili për momentin gjendet në arrati, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ose për tjetrin si dhe për t’i shkaktuar dëm personit tjetër, e kanë vënë në lajthim të dëmtuarin Faton Dalladaku.

Gjithnjë sipas prokurorisë, ata përmes të akuzuarit Kadri Rexhepi, prezantohen rrejshëm para të dëmtuarit dhe atë i akuzuari Rrahim Hashimi, si i afërm i Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit, ndërsa i akuzuari Ekrem Lika si dhëndër i Kadri Veselit, ashtu që të tre së bashku kinse me qëllim të ndërmjetësimit për blerjen e Qendrës Kardiake të Kosovës SH.P.K në Prishtinë.

Prokuroria pretendon se ky ndërmjetësim pretendohej të realizohej kinse mes personit të quajtur Ekrem Lluka si shitës dhe Faton Dalladaku si blerës, ashtu që e nxisin të njëjtin të veprojë në dëm të pasurisë së tij, duke i prezantuar draft-kontrata sipas të cilave arrijnë ta bindin se i akuzuari Rrahim Hashimi, është pronar i Qendrës Kardiake të Kosovës, me 20 për qind të aksioneve, ndërsa Ekrem Lluka me 80 për qind, me ç’rast arrijnë të marrin nga i dëmtuari Dalladaku shumën e përgjithshme të të hollave prej 290 mijë e 810 euro, për të cilën shumë edhe i shkaktojnë dëm material.