Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë ndaj tre të dyshuarve për keqpërdorime me rezervat shtetërore, Ridvan Muharremi, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica, raporton Gazeta Sinjali.
Gjykata u ka shqiptuar tre të dyshuarve veç e veç masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Dy zyrtarët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara dhe afaristi Ridvan Muharremi janë arrestuar dje nën dyshimin për veprat “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, si dhe “Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.
Përveç arrestimeve, dje janë kryer edhe bastisje për disa orë në zyrat e MINT dhe pronat e Muharremit.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se gjatë bastisjes janë siguruar dhe sekuestruar prova materiale të cilat do të përdoren për procedurë të mëtutjeshme hetimore.
Bastisjet dhe arrestimet erdhën pas një publikimi të audioincizimeve të medias ‘Nacionale’ për rezervat shtetërore.