image Gjykata merr vendim për personin që dyshohet se sulmoi sigurimin e bankës ‘TEB’ në Drenas

Drejtësi

Gjykata merr vendim për personin që dyshohet se sulmoi sigurimin e bankës ‘TEB’ në Drenas

news image

Gazeta Sinjali të enjten ka raportuar për një incident që ka ndodhur në pikën e bankës ‘TEB’ në Drenas, ku një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht punëtorin e kompanisë. I dyshuari është arrestuar dhe i njëjti ka dalë dje para gjykatës.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se bëhet fjalë për 32-vjeçarin, Haki Muliqi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte parashtruar kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj Muliqi, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i rëndë trupor’.

Burimet e Sinjalit brenda Gjykatës njoftojnë se është aprovuar kërkesa e Prokurorisë dhe 32-vjeçari është dërguar në paraburgim për 30 ditë.

Por si kishte ndodhur ngjarja?

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se qytetari me inicialet Haki Muliqi, po dyshohet se e ka goditur me grushte punëtorin e një kompanie, i cili shërben si sigurim në bankën ‘TEB’ dhe tentoi ta largojë të dyshuarin nga banka.

Veprimi i tij e mllefsoi të riun, i cili pa një pa dy iu vërsul, duke i shkaktuar lëndime trupore, për çka viktima u detyrua të kërkojë ndihmë mjekësore fillimisht në Drenas, e më pas në Qendrën Klinike Universitare, për shkak të lëndimeve të rënda trupore.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/