Me gjashtë muaj burgim dhe 3000 euro gjobë është dënuar inspektori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Lavdim Rexhepi, i cili akuzohej për marrje të ryshfetit.
Gjykatësi Lutfi Shala, e njoftoi të akuzuarin për mundësinë që dënimin me burgim ta zëvendësojë me gjobë në shumën prej 1500 euro.
Gjithashtu, i akuzuari është njoftuar se mos pagesa e dënimit me gjobë mund t’i zëvendësohet në dënim me burg, ku një natë burgim do t’i llogaritej me 20 euro të gjobës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, në seancën e së enjtes, prokurori Rafet Halimi, kishte prezantuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë që e kishte arritur me të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij, avokatin Ramë Dreshaj.
Në marrëveshje ishte rekomanduar një dënim më gjobë në shumën prej 3000 deri në 3500 euro dhe dënim me burgim prej katër deri në gjashtë muaj, me mundësi të zëvendësimit në dënim me gjobë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, aktakuzën ndaj Lavdim Rexhepit e ka përpiluar më 14 gusht 2019, për shkak të veprës penale “marrje e ryshfetit”.
Sipas aktakuzës, Rexhepi në cilësinë e inspektorit tatimor në ATK, kishte marrë dy herë ryshfet nga e dëmtuara Lejla Krasniqi, në shuma prej 80 euro dhe 300 euro, duke i premtuar asaj korrigjimin e deklaratave tatimore në biznesin e saj, pasi e njëjta kishte pasur obligime tatimore në ATK rreth 6,000.00 euro.
Në aktakuzë thuhet se më 24 nëntor 2018, në parkingun që gjendet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Prishtinë, gjatë zbatimit të masës së fshehtë, i akuzuari Rexhepi kishte marrë nga e dëmtuara edhe shumë prej 300 euro.
Mirëpo, sipas aktakuzës, pas marrjes së kësaj shume ai ishte ndaluar nga Policia e Kosovës.