image Gjykata merr vendim për grabitjen e armatosur në Shtime

Kosovë

Gjykata merr vendim për grabitjen e armatosur në Shtime

news image

Gjykata Themelore e Ferizajt u ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji, dy të dyshuarve për kryerjen e grabitjes së një banke në Shtime.

Ata dyshohet se më 2 shtator të këtij viti kanë grabitur bankën ‘Raiffaisen’ në Shtime, ndërkohë kanë qenë të armatosur.

Caktimi i masës së paraburgimit është bërë me kërkesë të Prokurorit të shtetit.

Njoftimi i plotë i Gjykatës Themelore në Ferizaj:

 Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurve K.H dhe A.L, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale grabitje nga neni 317 paragrafi 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Të pandehurit dyshohen se më 2 shtator 2019, në filialin e bankës Raiffaisen në Shtime, me qëllim që t’i sjellin vetes dobi pasurore të kundërligjshme, paraprakisht kanë përgatitur planin për kryerjen e kësaj vepre duke i ndarë rolet dhe duke vepruar si anëtar të grupit të pajisur me armë gjysmë automatike, të maskuar së bashku me dy persona të tjerë të paidentifikuar, kanë hyrë në Raiffaisen Bankë dhe nën kërcënimin e armës kanë detyruar punëtorët t’u dorëzojnë parat, me ç’rast kanë marr rreth 2.540 euro dhe 290 franga, ndërsa në dalje të bankës disa herë kanë gjuajtur me armë dhe kanë ikur në drejtim të fshatit Jezerc, ku kanë djegur veturën kombi me qëllim të zhdukjes së provave.

Andaj gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të rënda, Sahit Krasniqi, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarve e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitës së nenit 187 të KPPRK-së dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.