Gjykata Themelore në Ferizaj, ka caktuar masën e paraburgimit kundër të pandehurit S.A dhe I.Sh. shtetas të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se veç e veç, kanë kryer veprën penale dhunimi, raporton Gazeta Sinjali.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Sahit Krasniqi, ka vërtetuar faktin se S.A, dyshohet se më 7 dhe 8 qershor të këtij viti, në kohë të pacaktuar, në një hotel në Ferizaj, ka keqpërdorur seksualisht një vajzë nën 14 vjeç, duke kryer akt seksual me të, edhe pse e ka ditur moshën e saj.
Ani pse, vepra penale e dhunimit nuk është kryer me detyrim, por duke pasur parasysh moshën e vajzës, bazuar në nenin 225 të Kodit Penal, shprehja “pëlqim” nënkupton pajtimin e vullnetshëm të personit që e ka arritur moshën 16 vjeç për të kryer aktin seksual. Prandaj, gjykatësi e ka konsideruar se 14-vjeçarja nuk ka dhënë pëlqim.
Ndërkaq, i dyshuari I.Sh., dyshohet se më 7 dhe 8 qershor, në një kohë të pacaktuar, në një hotel në Ferizaj, ka keqpërdorur seksualisht një vajzë të moshës nën 16 vjeç, duke kryer akt seksual me të.
Po ashtu, edhe në këtë rast gjykatësi e ka vlerësuar veprën si “dhunim”, bazuar në nenin 225 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Me rastin e caktimit të kësaj mase, gjykata ka vlerësuar se ende nuk kanë përfunduar hetimet për këtë vepër penale, pasi që ende nuk janë dëgjuar para prokurorit dëshmitarët e tjerë të mundshëm dhe të dëmtuarat.
Prandaj, mbi këto arsye, gjykata ka konstatuar se nëse gjenden në liri, të dyshuarit mund të ndikojnë te dëshmitarët, që të deklarohen në favor të mbrojtjes, duke mundësuar krijimin e rrethanave penguese për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, duke ndikuar te dëshmitarët e, veçanërisht te të miturat./Gazeta Sinjali/