image Gjykata merr vendim për burrin e Arta Bajramit, 1 muaj arrest shtëpiak

Drejtësi

Gjykata merr vendim për burrin e Arta Bajramit, 1 muaj arrest shtëpiak

news image

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji Xhemajl Sekiraqës, burri i këngëtares Arta Bajrami.

Sekiraqa i njohur si “Xhimi” po kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar për veprën penale “Grabitja”.

“Referuar kërkesës tuaj për informacione, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka pranuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit – të kërkuarit për ekstradim Xhemajl Sekiraqes. Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Kundër këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 24 orësh, drejtuar Gjykatës së Apelit”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

Gazeta Sinjali ka raportuar para disa ditësh për arrestimin e Xhemail Sekiraqës, i cili u kap në rrugën ‘UÇK’ në Prishtinë, pasi po kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar për një vjedhje të rëndë në shtetin e Kuvajtit.

Sekiraqa është dënuar me dhjetë vite burgim, por që po shijonte lirinë nga arratia. I njohur edhe si Xhimi, ai edhe më parë ka pasur telashe me ligjin, me ç’rast është arrestuar disa herë për vepra të ndryshme penale.

Ndryshe rastin e fundit e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

“Në këtë drejtim veprimet operative të ndërmarra në funksion të angazhimit policor, dje kanë rezultuar me kapjen e të dyshuarit, të dënuar me dhjetë vite burgim, dhe i Arrestohet i kërkuari me urdhër arrest ndërkombëtar.

Operacioni u krye në orët e pasdites së djeshme, në rrugën “UÇK” në Prishtinë, me ç’ rast u arrestua dhe u procedua më tej në përputhje me urdhër arrestin ndërkombëtar;

-Xh. S, mashkull, 43 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës”, thuhej në njoftimin e Policisë.

/GazetaSinjali/