Inspektorati Policor i Kosovës në koordinim me Prokurorinë Speciale dy ditë më parë zhvilluan një mega aksion, ku rezultoi me 50 zyrtarë të arrestuar, 48 policë dhe dy doganierë.
Tani Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për caktimin e masës së sigurisë ndaj 24 të arrestuarve, raporton Gazeta Sinjali.
Gjykata ka bërë të ditur se ndaj të pandehurve A .TH, A.B, A.D, A.P, B.K, K.A, L.M, M.B, M.M, O.S, S.H, SH.K, U.M, E.T, S.ZH është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Kurse, ndaj pandehurve I.I, A.B, B.XH, B.B, B.K, K.B, M.U, B.B, dhe R.A është refuzuar kërkesa e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit dhe të njëjtëve ju është caktuar masa paraqitje në stacionin policor në kohëzgjatje prej një muaji.
Po ashtu, nga Gjykata kanë bërë të ditur se për çfarë akuzohen të arrestuarit.
“Ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprat penale Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 277 paragrafi 1, në lidhje me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotorpe dhe analoge e sanksionuar me nenin 267 paragrafi 3 të KPRK-së, Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar e sanksionuar me nenin 414 paragrafi 1 të KPRK-së, Marrja e ryshfetit, e sanksionuar me nenin 421 paragrafi 2 të KPRK-së, Ushtrimi i ndikimit e sanksionuar me nenin 424 paragrafi 1 të KPRK-së dhe Kontrabandimi i mallrave e sanksionuar me nenin 311 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 5 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.