Me 27 tetor, një person kishte humbur jetën si pasojë e një aksidentit ndërmjet biçikletës dhe veturës, që kishte ndodhur në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Ferizaj, raporton Gazeta Sinjali.
Në lidhje me këtë, Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm- Divizioni Penal e ka arpovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, duke ia caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit E.H.
Ky është vendimi i plotë :
Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.H., shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Rrezikimi i trafikut publik nga neni 370 paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 dhe 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake të Divizionit Penal – Imri Sejda, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet nga ana e prokurorisë së shtetit, po ashtu janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit të përcaktuara me dispozitat e KPPRK-së duke marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së saj, ku në rastin konkret është humbur një jetë njeriu dhe familjarët e të ndjerit mund të jenë në gjendje emocionale dhe nga kjo shtohet nevoja për ruajtjen e rendit publik, ku hyn edhe rreziku që i kanoset të pandehurit duke pasur parasysh se ka qenë një aksident me fatalitet.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij./ Gazeta Sinjali/