Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar mëngjesin e të premtes në fshatin Brekoc të Gjakovës, ku për pasojë një person ka mbetur i plagosur. I dyshuari është ndaluar nga Policia, ndërsa tashmë i është caktuar edhe masa e paraburgimit, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali dje ka raportuar ekskluzivisht se i dyshuari që qëlloi me armë një person në Gjakovë është Pal Berisha, i cili me vendim të Prokurorit të Shtetit ishte ndaluar për 48-orë.
Ndërkaq, me kërkesë të Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Gjykata Themelore e Gjakovës sot ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj tij, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”.
“Me datën 20.12.2024 rreth orës 09:30 minuta, në rrugën “D.” lagjen B. – Gjakovë, me dashje ka tentuar të privoje nga jeta, këtu të dëmtuarin Gj. B., ashtu që për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme, e të cilat mosmarrëveshje kanë vazhduar edhe ditën kritike e ku i pandehuri pasi takon të dëmtuarin fillimisht fjalosen në mes vete dhe për një moment i pandehuri nxjerr pistoletën e llojit Sig Sauer e kalibrit 9×19 mm dhe shtënë në drejtim të dëmtuarit duke e qëlluar në pjesë vitale të trupit, ku si pasojë e lëndimeve të pësuara i dëmtuari rrëzohet në tokë, më pas dërgohet në emergjencën e Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë ku edhe i nënshtrohet operimit”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit Berisha.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.