image Gjykata merr vendim ndaj të arrestuarve në aksionin në Karaçevë

Drejtësi

Gjykata merr vendim ndaj të arrestuarve në aksionin në Karaçevë

news image

Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj 30 të dyshuarve në aksionin e së premtes në fshatin Karaçevë.

12 nga të arrestuarit janë zyrtarë policorë, të cilët po dyshohen për ndihmë në kontrabandë e lojëra të fatit.

Mbrëmë, Prokuroria Themelore në Gjilan ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, në Gjykatën kompetente në Gjilan, ndaj 30 të dyshuarve.

Sipas kërkesës, i dyshuari Ferid Leci, në fshatin Karaçevë, komuna e Kamenicës, në cilësi të zyrtarit policor, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, në mënyrë të vazhdueshme ka ndihmuar, fshehur dhe nuk ka penguar kryerjen e veprës penale nga ana e të dyshuarve të tjerë, të cilët duke kaluar vijën kufitare kanë shmangur kontrollin doganor, përmes rrugëve ilegale dhe kanë bërë kontrabandimin e mallrave të ndryshme. Po ashtu, i njëjti, në lokalin e tij në të njëjtin vend, në vazhdimësi ka organizuar lojërat e fatit, të cilat janë të ndaluara me ligj.

Në këtë mënyrë dyshohet se i dyshuari Ferid Leci, ka kryer veprat penale ‘’Kontrabandimi me mallra’’ dhe ‘’Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Të dyshuarit Hydush Kastrati, Sokol Keka, Imer Spahiu, Fatmir Kallaba, Asllan Kryeziu, Feat Zeqiri, Raif Thaçi, Selami Geci, Stavisha Nikoliç, Svetozar Markoviç dhe Zllatan Arsiç , në cilësinë e zyrtarëve policorë, në mënyrë të vazhdueshme dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror kanë ndihmuar, lehtësuar, fshehur dhe nuk kanë penguar kryerjen e veprës penale nga ana e të dyshuarve tjerë, të cilët kanë shmangur kontrollin doganor, përmes rrugëve ilegale dhe kanë bërë kontrabandimin e mallrave të ndryshme.

Me këto veprime, të njëjtit dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘’Kontrabandimi me mallra’’, të KPRK-së.

Të pandehurit D.S., F.S., N.K., S.D., E.K., A.S., B.S., A.TH., SH.S., F.S., B.S., F.S., V.S. dhe A.S., dyshohet se kanë kryer veprat penale ‘’Kontrabandimi me mallra’’, pasi në bashkëpunim mes vete dhe zyrtarët e dyshuar policorë, në mënyrë të vazhdueshme kanë shmangur kontrollin doganor dhe përmes rrugëve ilegale kanë bërë kontrabandimin me mallra.

Ndërsa, të pandehurit Y.F., RR.G., N.Ç. dhe L.G., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë bërë organizimin e lojërave të fatit, të cilat janë të ndaluara me ligj, ku me këto veprime të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’’ të KPRK-së.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /Gazeta Sinjali/