image Gjykata me propozim të Prokurorisë dënoi të akuzuarin për vjedhje të votave duke zbatuar dispozitat e disfavorshme të Kodit Penal

Drejtësi

Gjykata me propozim të Prokurorisë dënoi të akuzuarin për vjedhje të votave duke zbatuar dispozitat e disfavorshme të Kodit Penal

news image

Gjykata e Pejës bashkë me Prokurorinë Themelore nuk kanë përfillur parimin bazë të drejtësisë – zbatimin e ligjit penal më të favorshëm – ndaj Agron Nikçit i cili është akuzuar dhe dënuar për falsifikim të votave në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.

Postulati i ligjshmërisë përcakton se në drejtësi duhet të zbatohet ligji i penal i cili është në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, pos nëse ka dispozita favorizuese, me kodin e ri penal.

Të kundërtën e kësaj e kanë bërë  Prokuroria dhe Gjykata e Pejës. Ato në akuzimin dhe gjykimin ndaj të pandehurit, kanë marrë për bazë ligjin që nuk ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprës dhe kanë zbatuar ligjin që përmbante dispozita disfavorizuese.

Prokuroria Themelore në Pejë ndaj Nikçit, me rastin e ngritjes së aktakuzës, ka aplikuar Kodin Penal të vitit 2019, dispozitat e të cilit nuk ishin në fuqi në kohë e kryerjes së veprës penale dhe të njëjtat vështirësonin pozitën juridike të pandehurit Nikçi, në raport  me Kodi Penal të vitit 2013, i cili ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale dhe kishte dispozita më të favorshme, sesa Kodi Penal i vitit 2019.

Kodi i vitit 2013  nuk parashihte asnjë pasojë juridike për të akuzuarin në rast se nga gjykata dënohet me dënim me kusht, gjobë apo vërejtje gjyqësore. Në par.2 të nenit 100 të këtij Kodi shprehimisht parashihet “Pasojat juridike të dënimit nuk krijohen kur kryesit i shqiptohet gjoba, dënimi me kusht apo vërejtja gjyqësore ose kur kryesi lirohet nga dënimi”.

Ndërsa me Kodin Penal të vitit 2019, me të cilin është akuzuar dhe gjykuar i pandehuri Nikçi, pasoja juridike nuk kishte vetëm dënimi me gjobë dhe vërejtja gjyqësore por jo edhe dënimi me kusht siç parashihet me Kodin e vitit 2013.

 “Pasojat juridike të dënimit nuk krijohen kur kryesit i shqiptohet gjoba apo vërejtja gjyqësore”, thuhet par.2 të nenit 93 të Kodit Penal të vitit 2019.

Kodi Penal i vitit 2013, ishte më i butë edhe për shkak të zbutjes së dënimit pa asnjë kufizim, kur ekzistonte marrëveshja për pranimin e fajësisë apo pranimi i fajësisë, dispozitë kjo e cila nuk parashikohet me Kodin Penal të vitit 2019.

Përveç kësaj, Kodi i vitit 2019 ka ashpërsim të afateve të parashkrimit të ndjekjes penale në raport me Kodin Penal të vitit 2013.

Sipas Kodit Penal të vitit 2013 afati i parashkrimit të ndjekjes penale është 5 vite për veprat penale të cilat parashihet dënimi më shumë se 3 vite burgim, kurse ky afat me Kodin aktual është rritur në 10 vite.

Këtë cilësim juridik të Prokurorisë së Pejës, nuk e ka vërejtur as Gjykata Themelore në Pejë, kur kjo e fundit, kishte gjykuar të pandehurin Agron Nikçi me 6 muaj burgim me kusht, në afat verifikimit prej 1 viti, përsëri duke zbatuar dispozitat e disfavorshme të Kodit Penal të vitit 2019.

Përveç kualifikimit të disfavorshëm juridik, rezulton se edhe dënimi i propozuar në marrëveshje për pranimin e fajësisë nga Prokuroria e Pejës, nuk është në harmoni me dispozitat e Kodit të Procedurës Penal, pasi ishte rekomanduar dënimi që nuk e njeh  ligji, siç parashihet në nenin 233 par.7 pika 7.2 të Kodit të Procedurës Penale.

Pjesa e insitutit të negocimit të marrëveshjes për pranimin e fajësisë parasheh se Prokurori i shtetit rekomandon një dënim më të butë por jo nënminimumin e paraparë me ligj apo minimumin e përcaktuar në pargrafin e 7 të nenit 233 të KPP-së.

Par.7.2 i nenit 233 të KPP-së, përcakton shprehimisht;

7.2. për marrëveshjet mbi pranimin e fajësisë të arritura para shqyrtimit gjyqësor, i pandehuri mund të dënohet së paku 80% të minimumit të dënimit të përcaktuar me dispozitat përkatëse të Kodit Penal.”

Duke zbatuar dispozitën e par.7 pikës 7.2 të nenit 233 të KPP-së, rezulton se 80% e minimumit të dënimit të veprës penale për të cilën akuzohej i pandehuri nuk është 6 muaj burgim (me kusht), siç Prokuroria e Pejës ka propozuar në marrëveshjen e pranimit të fajësisë.

Ky dënim i propozuar nga Prokuroria nuk qëndron edhe sikur të llogaritet 80% e  minimumimit të dënimit gjatë zbatimit të dispozitave për zbutje të dënimit.

Për të gjitha këto gjetje, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), lidhur me këtë çështje penale, ka kontaktuar me ish-kryetarin e Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani.

Në intervistën më shkrim, Hasani ka konfirmuar se Prokuroria e Pejës kishte shkelur një ndër postulatet më fundamentale të drejtësisë-parimin e legalitetit.

“Duke aplikuar ligjin që nuk ishte në fuqi, prokuroria ka shkelur një nga postulatet fundamentale të parimit të legalitetit në të drejtën penale “se ndaj pandehurit aplikohet ligji që ka qenë në fuqi kur është ndërmarr veprimi i kundërligjshëm””, ka thënë z.Hasani.

Sipas Fejzullah Hasani, në rastin konkret, nuk ka patur mundësi ligjore të kualifikohet vepra penale sipas Kodit Penal të vitit 2019, sepse  ka vështirësuar pozitën juridike të pandehurit.

Ai shton se Kodi Penal i vitit 2013, ishte më i butë edhe për shkak të zbutjes së dënimit pa asnjë kufizim, kur ekziston marrëveshja për pranimin e fajësisë.

Vepra penale nuk ka mundur të kualifikohet sipas KP të viti 2019 , ngase është kod që e ve në pozitë më të vështirë penalo juridike të pandehurin , për rrethanat që Ju ju keni referuar, por edhe për një rrethanë tjetër, përkatësisht nenit 75 par.1.nënp.1.3. (2012) e cila dispozitë, lejonte mundësinë zbutje së dënimit pa asnjë kufizim ( pavarësisht kufizimeve nga neni 76), kur kishte marrëveshje për pranimin e fajësisë. Ngase përkundër faktit se neni 233 par.7.nuk lejon këtë minimum të dënimit, këtë e mundëson neni 75, për faktin se në drejtësinë penale vlen parimi I aplikimit të ligjit më të favorshëm, kur ka norma dykuptimshe, siç kemi rastin me nenin 75 par.1.nënp.1.3 dhe nenin 233.par.7”, tha prof.Hasani.

E këtë marrëveshje sipas Hasanit, nuk do duhej të aprovonte Gjykata e Pejës, pasi Prokuroria kishte aplikuar ligjin i cili nuk kishte qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale dhe i cili ishte i disfavorshëm ndaj të pandehurit.

Kurse propozimi i prokurorisë për shqiptimin e dënimit me kusht, sipas Hasanit ishte jashtë mundësive ligjore

Në rastin konkret , prokuroria ka aplikuar gabimisht ligjin dhe ka propozuar dënim jashtë mundësive ligjore , gjithashtu edhe gjykata ka shkelur ligjin , ngase nuk ka pas mundësi dhe bazë ligjore për ta pranuar fajësinë, por është dashur të shkoj në shqyrtim gjyqësor”, është përgjigjur Fejzullah Hasani.

IKD ka dërguar pyetje në Prokurorinë Themelore në Pejë për të marrë një përgjigje lidhur me këtë rast penal, mirëpo e njëjta përkundër dy kërkesave me shkrim, nuk ka kthyer përgjigje.

IKD ka kërkuar informacione zyrtare nga Gjykata Themelore në Pejë, për të marrë qëndrimin e saj në lidhje me këtë analizë ligjore, përkatësisht lidhur me zbatushmërine e ligjit penal i cili është i disfavorshëm ndaj të pandehurit.

Gjykata Themelore në Pejë përmes zëdhënëses Tringa Zhuti lidhur me këtë rast penal, nuk ka adresuar të gjitha pyetjet e dërguara, mirëpo ka theksuar se baza ligjore e shpalljes fajtor të pandehurit ishte dhënë në aktgjykimin me shkrim të Gjykatës Themelore në Pejë.

Sipas zëdhënëses Zhuti, asnjë autoritet në gjykatë nuk mund të vlerësojë e as të komentojë vendimet gjyqësore.

Lidhur me pyetjet e parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se arsyetimi mbi mënyrën e vendosjes dhe bazën ligjore mbi të cilën është mbështetë shpallja fajtor e të pandehurit si dhe lartësia e dënimit që i është shqiptuar është dhënë në aktgjykimin e përpiluar me shkrim nga ana e gjyqtares.Gjyqtarja e çështjes, Kryetari i Gjykatës dhe asnjë autoritetet tjetër në gjykatë nuk është kompetent për të komentuar e aq më pak për të vlerësuar se a ka qenë i drejtë apo jo vendimi i gjyqtares. Vlerësimin se a ka gjykuar gjyqtarja brenda autorizimeve të saj ligjore, se a ka bërë shkelje ligjore, se a e ka aplikuar ligjin më të favorshëm apo më pak të favorshëm, sipas ligjit, mund të bëhet vetëm nga gjykata e shkallës më të lartë në rast të ushtrimit të ndonjë mjeti juridik nga ana e palës së pakënaqur”, thuhet në përgjigjen e znj.Zhuti.

Pas analizimit të aktgjykimit me shkrim, të përpiluar nga gjykatësja Violeta Husaj-Rugova, theksohet se e njëjta kishte qenë e bindur se marrëveshja për pranimin e fajësisë ishte bërë në harmoni në Kodin e Procedurës Penale.

Dhe këtë marrëveshje gjyqtarja e ka pranuar – e bindur thellë se marrëveshja e tillë është bërë konform dispozitave të Kodit të procedurës Penale dhe të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjykata ka konstatuar se vepra penale është kualifikuar me dispozitat e Kodit penal që ka hy në fuqi në vitin 2019, edhe pse vepra penale është kryer në vitin 2017 dhe gjykata zyrtarisht nuk mund të bëjë kualifikimin, por pasi që është marrëveshje për pranimin e fajësisë dhe durueshmëria e veprës është e njëjtë si me Kodin penal të mëparshëm atëherë e pranoj marrëveshjen për pranimin e fajësisë”, thuhet në arsyetimin e gjykatëses Husaj-Rugova.

Për më tepër, në arsyetimin e aktgjykimit pranohet fakti se dënimi i rekomanduar nga Prokuroria e Pejës në marrëveshje për pranim të fajësisë, ishte nën minimumin e paraparë me ligj, mirëpo, sipas Gjykatës ky dënim, ishte në përputhje me veprimet dhe shkallën e rrezikshmërisë të pandehurit.

Gjykata ka vlerësuar dënimin e arritur në marrëveshje dhe ka konstatuar se i njëjti është nën minimumin e paraparë ligjor, mirëpo bazuar në dispozitat e nenit 69,70,71, dhe faktin se i njëjti e ka pranuar fajësinë në faza të hareshme dhe ka arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë ashtu që ka ardhur në përfundim se dënimi i arritur në marrëveshje është në përputhje me veprimet e të akuzuarit dhe shkallën e rrezikshmërisë që paraqet vepra penale që i ngarkohet. Andaj, pasi që u aprovua përkatësisht u pranua marrëveshja mbi pranimin e fajësisë gjyqtarja e konfirmoj edhe vendimin mbi dënimin ashtu siç është arritur edhe në marrëveshjen për pranimin e fajësisë”, thuhet në arsyetimin e aktgjykimit.

Ndryshe, parimi i ligjshmërisë, si një ndër postulatet themelore të drejtësisë penale, përcakton se ndaj të pandehurit zbatohet Kodi Penal i cili ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes, përveç nëse Kodi i ri penal ka dispozita penale favorizuese.

Zbatimi i këtij postulati  është detyrë e policisë, prokurorisë dhe gjykatave që gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre të aplikojnë ligjin penal i cili është më i favorshëm për të pandehurin.

Kjo garancë parashihet shprehimisht në Kushtetutën e Kosovës, neni 33 par.4 i cili kërkon aplikimin e normave penale të cilat janë më të favorshme për të akuzuarin.

Ndryshe, me 23 qershor 2021, Gjykata Themelore në Pejë e ka dënuar me 6 muaj burgim me kusht të akuzuarin për falsifikimin e rezultateve të votimit në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, Agron Nikçi.

Sipas aktgjykimit të shpallur të mërkurën nga gjykatësja Violeta Husaj-Rugova, dënimi me burgim prej 6 muajsh nuk do të ekzekutohet, nëse brenda afatit prej 1 viti Nikçi nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në mungesë të propozimit nga ana e prokurorisë, gjykata sipas detyrës zyrtare vlerësoi se ndaj të pandehurit nuk mund të shqiptohet ndalesa e ushtrimit të funksioneve zyrtare. Gjykatësja tha se puna e kryetarit të komisionit në zgjedhje është e përkohshme dhe ka përfunduar, andaj dhe nuk ka kushte për shqiptimin e një ndalese të tillë.

Aktgjykimi u shpall pasi gjykata aprovoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë, të lidhur ndërmjet Prokurorisë Themelore në Pejë dhe të pandehurit Nikçi së bashku me mbrojtësin e tij të caktuar sipas detyrës zyrtare, Shpëtim Berisha.

Kjo marrëveshje ishte lidhur me 12 prill 2021, me pëlqimin e kryeprokurorit të Prokurorisë së Pejës, Agim Kurmehaj e prokurorit të rastit, Agron Galani në njërën anë, si dhe të pandehurit me mbrojtësin e tij në anën tjetër.

Në këtë marrëveshje theksohej se Nikçi pajtohet që ta pranoj akuzën për veprën penale të falsifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, në këmbim të dënimit prej 6 muaj burgim me kusht, në periudhë verifikuese prej 1 viti.

Ndryshe, aktakuza ndaj Agron Nikçit është ngritur më 14 prill 2021, nga Prokuroria Themelore në Pejë.

Ai akuzohej se më 11 qershor 2017, në objektin e Fakultetit të Biznesit në Pejë, në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, në vendvotimin nr.1704Y/05R, në cilësinë e kryesuesit të Komisionit Zgjedhor, ka regjistruar në mënyrë të pasaktë rezultatet e zgjedhjeve në dokumentet zgjedhore.

Në aktakuzë thuhet se pas rinumërimit të votave nga QNR-ja dhe krahasimit të dhënave të cilat janë krijuar në vendvotimin nr.1704Y/05R, ka rezultuar ndryshimi i votave, ku me rastin e numërimit të votave nga ana e kryesuesit të KVV-së brenda një subjekti politik kanë hequr votat e disa kandidatëve dhe kanë shënuar disa kandidatë tjerë, duke regjistruar në mënyrë jo të saktë gjithsej 168 vota, prej tyre 106 vota të shtuara dhe 62 vota të hequra dhe atë të shtuara për PDK-në 34 vota, LDK-së 29 vota, LVV-43 vota, gjersa të hequra PDK-së 18 vota, LDK-së 33 vota dhe LVV- 11 vota.

Për këtë ai ngarkohej me veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 216, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, për të cilën vepër, parashihet dënimi prej 3 vite deri 5 vite burgim./Gazeta Sinjali/