Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar urdhër-arrest ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës, Etem Arifi, i cili është është shpallur fajtor për veprën penale të mashtrimit me subvencione.
Lajmin për lëshimin e urdhër-arrestit ndaj deputetit Arifi, e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali zëdhënësja e Gjykatës Themelore, Mirlinda Gashi.
“Ju njoftojmë se i dënuari E.A e ka pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës, me të cilin i është refuzuar ankesa si e pabazuar dhe është bërë i plotfuqishëm vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë. I dënuari E.A është dashur që pas pranimit të vendimit të lajmërohet në Qendrën për vuajtjen e dënimit me burg, por pasi që i njëjti nuk është lajmëruar, Gjykata ka lëshuar Urdhëresë për ndalim, arrestim dhe dërgimin e të njëjtit në vuajtje të dënimit me burg”, tha Gashi në një përgjigje me shkrim për Gazetën Sinjali.
Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me dy vjet burgim me kusht, deputetin e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë së Ashkalinjëve për Integrim, Etem Arifi, pasi ai është shpallur fajtor për veprën penale të mashtrimit me subvencione.
Sipas aktakuzës, Etem Arifi ka shfrytëzuar pozitën e tij të deputetit për të ndikuar për dhënien e subvencioneve duke siguruar në këtë mënyrë shumën prej 25.646.00 euro. /Gazeta Sinjali/