image Gjykata Kushtetuese: Ligji për Zyrtarët Publikë s'mund të hyjë në fuqi deri në vendimin final

Politikë

Gjykata Kushtetuese: Ligji për Zyrtarët Publikë s’mund të hyjë në fuqi deri në vendimin final

news image

Gjykata Kushtetuese ka bërë të ditur se Ligji për Zyrtarët Publikë nuk mund të dekretohet dhe as të hyjë në fuqi deri në një vendim final të saj.

Sipas njoftimit të kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani dërguar kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, thuhet se Ligji për Zyrtarët Publik që po kontestohet nga 11 deputetë nuk mund të hyjë në fuqi deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Njoftimin, Gjykata Kushtetuese e ka bazuar në nenin 42.2 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese.

“Kjo dispozitë kushtetuese nënkupton që ligji që kontestohet në Gjykatën Kushtetuese nga dhjetë ose më shumë deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk mund të dekretohet, të hyjë në fuqi ose të prodhojë efekte ligjore deri në vendimin final të Gjykatës lidhur me çështjen e ngritur pranë saj”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtuese dërguar Kryetarit të Kuvendit.

Aty po ashtu kërkohet që t’iu shpërndahet gjithë deputetëve. Mes tjerash, thuhet se deputetët mund të dërgojnë komentet e tyre për Ligjin për Zyrtarët Publikë deri më 23 janar 2023.

Ndryshe, më 30 dhjetor, Partia Demokratike e Kosovës e ka dorëzuar Ligjin për Zyrtarët Publikë në Gjykatën Kushtetuese.

Pas PDK, në të njëjtën ditë të vitit të kaluar, edhe LDK-ja veproi njëjtë.

/GazetaSinjali/