Gjykata Kushtetuese e ka njoftuar kryeparlamentaren Vjosa Osmani, e përmes saj edhe 30 deputetët e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me procedurat që i ndjekë ky institucion gjyqësor për ta trajtuar dekretin e presidentit Hashim Thaçi, për ta mandatuar Avdullah Hotin për kryeministër.
Gazeta Sinjali e ka siguruar njoftimin që Gjykata Kushtetuese ia ka dërguar Osmanit. Në këtë njoftim, deputetëve që kërkuan interpretim për dekretin e presidentit, u kërkohet t’i paraqesin komentet e tyre në lidhje me caktimin e masës së përkohshme për këtë çështje, deri në orën 12:00 të datës 1 maj.
Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese u ka kërkuar deputetëve të LVV-së që t’i dërgojnë komentet e tyre për “meritat e kërkesës” në afat prej një jave, saktësisht deri më 8 maj në orën 16:00.
Theksojmë se kjo është procedurë e rregullt e Gjykatës Kushtetuese, që në raste të tillla është e autorizuar t’ua ofrojë mundësinë për t’i paraqitur komentet e tyre, atyre që parashtrojnë kërkesë për ndonjë interpretim nga kjo gjykatë.
Gjatë të enjtes, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e presidentit Hashim Thaçi për ta dekretuar Avdullah Hotin si mandatar për formimin e qeverisë së re.
Votimi i kësaj qeverie është paraparë të ndodhë të shtunën, sipas kërkesës së LDK-së. Ndërkaq LVV po tenton që ta pamundësojë këtë duke kërkuar nga Kushtetuesja që të vendosë masë të përkohshme, gjë që do ta pezullonte dekretin e presidentit. /Gazeta Sinjali/