Pas 1 viti e 2 muaj, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur si të parakohshme kërkesën për shqyrtim të kushtetutshmërisë në rastin Blert Morina kundër Agjencisë së Regjistrimit Civil. Po të njëjtën ditë, Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka ftuar atë në seancë.
Të enjten, më 5 shtator 2019, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ka publikuar njoftimin se ka marrë vendim ta shpallë kërkesën për shqyrtim të kushtetutshmërisë, si të papranueshme e të parakohshme në rastin Blert Morina kundër Agjencisë së Regjistrimit Civil, për njohjen ligjore të identitetit gjinor të Morinës. Të njëjtën ditë, ka arritur thirrja për seancë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative për rastin e njëjtë. Seanca është caktuar për datën 9 tetor 2019, nga ora 9:30.
Më 4 prill 2018, Blert Morina ka kërkuar nga Zyra e Gjendjes Civile në Gjakovë që t’i ndërrohet emri dhe shënuesi i gjinisë në dokumente të identifikimit, ashtu që ato të përputhen me identitetin e tij gjinor. Pas përgjigjes refuzuese të Zyrës së Gjendjes Civile dhe Agjencisë së Regjistrimit Civil, më 24 korrik 2018 Morina ka paraqitur padi për konfliktin administrativ ndaj ARC-së pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë. Njëherësh, Morina ka parashtruar kërkesë për shqyrtim të kushtetutshmërisë së vendimit refuzues të ARC pranë Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar si i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore, të garantuara me nenet 23 [dinjiteti i njeriut], 24 [barazia para ligjit] dhe 36 [e drejta e privatësisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Morina kishte kërkuar që Gjykata Kushtetuese ta shqyrtojë kërkesën e tij dhe ta lirojë nga detyrimi për shterjen e mjeteve juridike, me arsyetimin se padia për konfliktin administrativ pranë Gjykatës Themelore, në rastin konkret paraqet mjet joefektiv juridik për t’i adresuar shkeljet e të drejtave brenda një afati të arsyeshëm. I të njëjtit mendim ishte edhe Institucioni i Avokatit të Popullit, i cili më u përfshi në procedurë në cilësinë e mikut të Gjykatës Kushtetuese (Amicus Curie) duke i qëndruar prapa këtij argumenti.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në web faqe e ka publikuar njoftimin se më 5 shtator 2019 ka vendosur “ta shpallë kërkesën të papranueshme, si të parakohshme, me arsyetimin se padia për konflikt administrativ e ushtruar pranë Gjykatës Themelore është mjaftueshëm e sigurt në teori dhe praktikë, dhe si rezultat, në përputhshmëri me parimin e subsidiaritetit, Gjykata duhet t’ua mundësojë fillimisht gjykatave të rregullta shqyrtimin e pretendimeve të parashtruesit”. Sidoqoftë, kjo Gjykatë ende nuk e ka publikuar vendimin e arsyetuar, prandaj nuk dihen arsyet e shpalljes së kërkesës si të parakohshme, e të papranueshme.
Së fundi, Gjykata e Apelit ka vendosur një rast pothuajse krejtësisht të njëjtë me rastin e Blert Morinës. Më 2 gusht 2018, Gjykata e Apelit në lëndën AA.nr.244/2019, ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë në rastin M.M. kundër Agjencisë së Regjistrimit Civil, ku është vendosur që t’i japë të drejtë M.M.-së për ta ndërruar emrin dhe shënuesin e gjinisë në përputhje me identitetin e tij gjinor. Gjykata e Apelit ka konstatuar se Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur drejt kur e ka vlerësuar pozitivisht kërkesën e M.M. për të ndërruar emrin dhe për të ndërruar shënuesin e gjinisë nga “F” në “M”. Po ashtu, Gjykata e Apelit në këtë vendim ka theksuar: “e drejta në mbrojtjen e identitetit gjinor mbrohet brenda të drejtës së privatësisë sipas praktikës gjyqësore të GJEDNJ. Sipas GJEDNJ, koncepti i të drejtës në jetë private është term i gjerë, dhe nuk mund të kapet në një përkufizim të ngushtë, sepse ai përfshinë integritetin fizik dhe psikik të një personi, dhe ndonjëherë mund të përfshijë edhe aspekte të identitetit fizik dhe social, elementet të tilla si p.sh identifikimi gjinor, emri, orientimi seksual dhe jeta seksuale hynë brenda sferës personale të mbrojtura me nenin 8 të Konventës. Prandaj, duke qenë se në vetë esencën e KEDNJ qëndron respekti për dinjitetin, e edhe liritë njerëzore, e drejta e personave transgjinor në zhvillim personal, siguri fizike dhe morale, është e mbrojtur nga konventa.”
Ftesa për seancë gjyqësore nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pas 6 kërkesave për përshpejtim të procedurës të deponuara pranë kësaj gjykate nga avokatja e Blert Morinës.