image Gjykata i lë në paraburgim 7 të dyshuarit për rastin “Brezovica”

Drejtësi

Gjykata i lë në paraburgim 7 të dyshuarit për rastin “Brezovica”

news image

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit kundër shtatë të pandehurve për rastin “Brezovica”, raporton Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht për shtatë personat që janë arrestuar Berat Lahu, Gani Berisha, Sami Sinani, Labinot Vitia, Gëzim Sinani, Shukri Shabani dhe Salih Sinani.

Nga Gjykata njoftojnë se Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve.

B.L., i dyshuar për shkak të veprës penale ushtrimi i ndikimit. SH.SH dhe S.S.1, të dyshuar për shkak të veprave penale në bashkëkryerje keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit dhe falsifikimi i dokumenteve zyrtare. SH.SH i dyshuar për shkak të veprave penale në marrja e ryshfetit dhe keqpërdorimi i pozitës zyrtare dhe autoritetit. G.B dhe A.Ç, të dyshuar për shkak të veprës penale marrja e ryshfetit. L.V i dyshuar për shkak të veprave penale dhënia e ryshfetit dhe ushtrimi i ndikimit. G.S dhe S.S.2 të dyshuar për shkak të veprës penale në vazhdim fajdeja në bashkëkryerje. G.S i dyshuar për shkak të veprave penale dhënia e ryshfetit, ushtrimi i ndikimit dhe pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare.

Gjykata njofton se në këtë rast ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të lartpërmendura, dhe ky dyshim i bazuar mbështetet nga faktet dhe provat të cilat janë të bashkangjitura deri në këtë fazë.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër shtatë (7) të dyshuarve: B.L., SH.SH., G.B., S.S.1, L.V., G.S., dhe S.S.2, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve i`u është caktuar masë e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç, konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të përshkruara më lartë.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/