image Gjykata i cakton një muaj paraburgim Lundrim Beqirit, të dyshuar për vrasjen e 25-vjeçarit në Mitrovicë

Drejtësi

Gjykata i cakton një muaj paraburgim Lundrim Beqirit, të dyshuar për vrasjen e 25-vjeçarit në Mitrovicë

news image

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së sigurisë ndaj Lundrim Beqirit, i dyshuar për vrasjen e 25-vjeçarit Albert Muja, më 30 tetor 2021, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se Gjykata ka marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj Beqirit.

Beqiri u arrestua të hënën pasi u shpall në kërkim më 1 dhjetor 2021 dhe për 9 muaj të tërë, Policia s’arriti që të bie në gjurmët e tij.

Përveç Lundrimit, për këtë rast dyshohet edhe shoku i tij, Ardit Zymberi, i cili u dorëzua te organet e rendit, disa ditë pas ngjarjes.

Si ndodhi kjo ngjarje e rëndë?

Mesnata e 30 tetorit ishte tragjike për 25-vjeçarin, Albert Muja. Ai humbi jetën pasi nuk mundi t’u bëjë ballë  plagëve që mori nga therja me thikë. Gjithçka i parapriu një zënke që kishin mes vete viktima dhe dy të dyshuarit, Lundrim Beqiri dhe Ardit Zymberi.

Pas sulmit me thikë, Alberti përfundoi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku nuk arriti të mbijetojë dhe humbi jetën. Trupi i tij u dërgua në IML për obduksion, ndërsa po atë ditë iu dha lamtumira e fundit në varrezat e Shipolit, në Mitrovicë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/