image Gjykata hedh poshtë aktakuzën ndaj ish-kryeministrit Haradinaj dhe të tjerëve

Drejtësi

Gjykata hedh poshtë aktakuzën ndaj ish-kryeministrit Haradinaj dhe të tjerëve

news image

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka hedhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka pushuar procedurën penale ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe shtatë të akuzuarve tjerë, Rexhep Selimi, Lah Ibrahimaj, Zafir Berisha, Shqipe Pantina, Time Kadrija, Daut Haradinaj dhe Visar Ymeri.

Të njëjtit akuzoheshin se në nëntor të 2015-ës penguan zyrtarët policorë në arrestimin e tani kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Në aktvendimin e shkallës së parë, thuhet se në këtë çështje ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Duke ju referuar emërtimit ligjor të veprës penale për të cilën janë akuzuar të pandehurit e lartcekur, kjo gjykatë konstaton si në vijim: Sipas nenit 106, par.1, nën par 1.5 të KPRK-së, ndjekja penale nuk mund të ndërmerret nëse kanë kaluar tre (3) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se një (1) vit burgim. Ndërsa, sipas nenit 107, par.8 të KPRK-së, specifikohet se ndjekja penale ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit. Në rastin konkret, sipas aktakuzës vepra penale është kryer me datë 17.11.2015 dhe nga koha e kryerjen së veprës penale të pretenduar, kanë kaluar më shumë se gjashtë (6) vjet. Andaj, gjykata konstaton se në këtë çështje penale parashkrimi absolut i ndjekjes penale ka arritur me datë 17.11.2021.”, thuhet në vendimin e gjykatësit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, sipas aktakuzës fillestare të ngritur më 15 mars 2018 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Rexhep Selimi, Lah Brahimaj, Zafir Berisha, Ramush Haradinaj, Shqipe Pantina, Time Kadrija, Daut Haradinaj dhe Visar Imeri akuzoheshin se së bashku me Donika Kadaj-Bujupin, Pal Lekajn, Haxhi Shalën dhe Fisnik Ismailin, në hyrje të Kuvendit të Republikës së Kosovës, pas një mosmarrëveshje paraprake e në bashkëkryerje, në grup e me dashje kanë penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

/GazetaSinjali/