image Gjykata e dërgon në paraburgim policin që e vrau qytetarin në Gjilan

Kosovë

Vendimi/ Gjykata e dërgon në paraburgim policin që e vrau qytetarin në Gjilan

news image

Gjykata Themelore e Gjilanit ka vendosur që ta dërgojë në paraburgim për 30 ditë policin Vllaznim Hamdiu, i cili pas një aksidenti e ka qëlluar për vdekje qytetarin Lulzim Spahiu mëngjesin e djeshëm në Gjilan.

Polici Vllaznim Hamdiu dyshohet se ka kryer tri vepra penale: “vrasje e rëndë”, “mbajtja në pronësi, kontroll të armëve ose posedimit të paautorizuar të armëve” dhe “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, shkruan Gazeta Sinjali.

“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 29.12.2019, rreth orës 04:50 minuta në rrugën “NATO 99”, në Gjilan, i pandehuri V. H. gjersa ishte duke vozitur veturën e tij shkaktohet një aksident trafiku me kamionin të cilin ishte duke e drejtuar L. S, tani i ndjerë. Deri tek ngjarja tragjike ka ardhur, kur pas aksidentit të ndodhur ka filluar kacafytja dhe kërcënimet e sharjet mes personave në fjalë, me ç’rast i pandehuri V. H. (polic) me armën e tij zyrtare shtinë në drejtim të viktimës L. S., ku nga plagët e marra në kokë, ndërron jetë në vendin e ngjarjes”, njofton Gjykata Themelore e Gjilanit.

Në momentin e arrestimit, përveç armës të cilën e shkrepi për ta vrarë qytetarin, i është gjetur edhe dy revole të tjera të modelit “Bereta 92 Auto” dhe 25 dhe fishekë të llojeve të ndryshëm.

“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, Zyhdi Haziri, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që ky është një rast i ndjeshëm dhe për këtë vepër parashihet një dënim mjaft i lartë”, njofton gjykata.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.​ /Gazeta Sinjali/