image "Gjykata e dënoi pa asnjë provë", reagon ashpër avokati i Zenun Elezajt

Drejtësi

“Gjykata e dënoi pa asnjë provë”, reagon ashpër avokati i Zenun Elezajt

news image

Sot Gjykata Themelore në Pejë e dënoi me 4.000 euro gjobë kryetarin e komunës së Klinës, Zenun Elezaj, për ndikim në punësim të vajzës së tij në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Klinë, ka reaguar avokati i tij.

Pas këtij vendimi ka reaguar avokati i Elezajt, Kujtim Kërveshi, i cili ka thënë se as tash, sikur më parë, sipas tij, aktgjykimi nuk mbështetet në asnjë provë.

“As ky aktgjykim i këtij trupi gjykues nuk mbështet në asnjë provë, siç nuk është mbështetur as herën e parë kur Elezaj është shpallur fajtor dhe edhe ky aktgjykim është në kundërshtim të plotë tani edhe me sugjerimet e Gjykatës së Apelit, e cila ka prishur aktgjykimin paraprak të këtij trupi gjykues dhe ka udhëzuar gjykatën e shkallës së parë se çfarë provash dhe dëshmish duhet të sigurohen”, ka thënë Kërveshi.

Ai thotë se trupi gjykues në rigjykim i ka dëgjuar dy dëshmitarët, dëshmitë e të cilëve sipas tij kanë qenë shfajësuese për Elezajn.

“Si mbrojtës nuk mund ta pranoj standardin e vendosje së këtij trupi gjykues. Për ne as një dënim, as ky me gjobë nuk është i pranueshëm, sepse Elezaj nuk ka kryer veprën penale me të cilën është shpallur fajtor dhe se jemi të bindur se Gjykata e Apelit do t’i japë epilog meritor kësaj sage të re të drejtësisë”, ka shtuar ai.

/GazetaSinjali/