Gjatë ditës së nesërme janë paralajmëruar protesta kundër vendimit të Gjykatës Themelore të Kumanovës e cila ka urdhëruar që babai i 4-vjeçarit, Almir Aliu, që u godit për vdekje nga vetura, të paraqitet në burg më 1 mars, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas vendimit të gjykatës, babai i Almirit, Sedat Aliu dhe dy familjarët e tij, Avdulla Aliu dhe Sami Demiri janë dënuar me gjashtë dhe nëntë muaj burgim.
Protesta është planifikuar të mbahet në Kumanovë, para Gjykatës Themelore, por që pas protestës, familjarët e 4-vjeçarit dhe disa të tjerë, kanë paralajmëruar se do të futen në grevë urie.
“Pas përfundimit të protestës paqësore, ne do të vendosim tenda para gjykatës famëkeqe të Kumanovës dhe do të qëndrojmë aty në grevë urie, deri sa drejtësia të fitojë kundër padrejtësive. Ky është një hap që jemi të detyruar ta ndërmarim, pasi viktima sot po dënohet, kurse vrasësi po shpërblehet me liri. Nuk lejojmë që Almiri i vogël të vritet edhe një herë!”, thuhet në njoftimin e familjes Aliu.
Këtë protestë e ka përkrahur edhe Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, përmes një shkrimi të publikuar në Facebook.
Ai ka bërë thirrje te të gjithë simpatizantët e Aleancës për Shqiptarët dhe te të gjithë qytetarët që t’i bashkëngjiten protestës.
Fillimisht, Iliq u dënua me 6 vjet burgim, ndërsa tani Gjykata Themelore në Kumanovë vendosi që ta rikualifikojë lëndën e Almir Aliut.
Pas këtij vendimi ndaj të akuzuarit Boban Iliq rëndon akuza “vepër e rëndë që rrezikon sigurinë e qytetarëve në trafik”, duke anuluar akuzën e mëparshme për “vrasje”.
Ndërkohë, avokat, Asmir Alispahiç, tha për mediat vendore se janë duke përgatitur edhe ankesë për në Gjykatën për Të Drejtat e Njeriut në Strazburg./Gazeta Sinjali/