image Gjykata e BE-së: Viktimat e dhunës në familje kualifikohen për status refugjati

Evropë

Gjykata e BE-së: Viktimat e dhunës në familje kualifikohen për status refugjati

news image

Gratë viktima të dhunës në familje, në shtetet e tyre të origjinës, janë të kualifikuara për statusin e refugjatit, apo për mbrojtje të ngjashme, ka konfirmuar të martën Gjykata Evropiane e Drejtësisë.

Vendimi garanton mbrojtje ndërkombëtare për gratë që janë subjekte të “dhunës fizike ose mendore” në vendlindje, si dhe për ato që përballen me “rrezik real të vrasjes”.

Vendimi i gjykatës është bërë publik, pas pyetjeve të një gjykate bullgare për rastin e një gruaje turke me origjinë kurde.Gruaja myslimane, e cila ka aplikuar për mbrojtje ndërkombëtare në Bullgari, ka thënë se është e frikësuar për jetën e saj, nëse kthehet në Turqi.

Ajo ka thënë se është detyruar të martohet nga familja e saj dhe është rrahur e kërcënuar prej burrit të saj, prej të cilit më vonë është divorcuar.

Gratë kualifikohen për status refugjati kur në vendlindje, për shkak të gjinisë, “i ekspozohen dhunës fizike apo mendore, përfshirë dhunën seksuale dhe dhunën në familje”, është thënë në vendimin e gjykatës.

Nëse nuk kualifikohen për status refugjati, gratë mund të përfitojnë prej një tjetër lloji të mbrojtjes, e cila u mundëson azilkërkuesve që të mbesin në vendin ku kanë aplikuar, por nuk mund të udhëtojnë në ndonjë vend tjetër të Bashkimit Evropian. /REL/

/GazetaSinjali/