Gjykata e Apelit ia ka vërtetuar dënimin me burg Bledar Elshanit, kërcënuesit të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj për veprën penale “shtytje në kryerjen e veprave terroriste”, ndërsa për veprën “armëmbajtje pa leje” e ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë.
Elshani, për këto dy vepra penale ishte dënuar me gjithsej 20 muaj burgim, shkruan Gazeta Sinjali.
Për shtytje në kryerjen e veprave terroriste, ai ishte dënuar me 18 muaj burg, derisa për armëmbajtje pa leje është dënuar me katër muaj burg. Mirëpo, pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore, Apeli kishte vendosur që ta aprovojë pjesërisht ankesën e mbrojtjes, ndërsa atë të prokurorisë e kishte refuzuar si të pabazuar.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Bledar Elshani nga muaji gusht i vitit 2018 e deri në muajin janar të vitit 2019, si administrator i një kanali në rrjetet sociale, me anë të fotografive dhe video – incizimeve ka bërë propagandim në lidhje me organizatën terroriste “ISIS”, duke përkrahur haptazi veprimet e tyre terroriste.
Po ashtu, aktakuza thekson se Bledar Elshani, më 23 gusht 2018, përmes po të njëjtit kanal ka postuar foton e animuar me mbishkrim: “Melodia e parapëlqyer e Muxhahidit është zëri i qafirit gjatë heqjes së kokës”. Më 10 janar 2019, ai kishte postuar foto me përmbajtje kërcënuese ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt me mbishkrimin “Do t’ju vijë fundi o taguta shqiptar Bi’Idhnilah”, i bërë nga një person i maskuar e ku në prapavijë shihet flamuri i organizatës terroriste “ISIS”. /Gazeta Sinjali/