Gjykata e Apelit ka liruar nga akuza Abdylkadër Muçaj, drejtor në Departamentin Ligjor dhe të Licencimit në Autoritetin Rregullativ të Hekurudhave (ARH).
Lajmi është konfirmuar shkurt përmes avokatit të tij Besnik Berisha, i cili ka thënë se klienti i tij është liruar nga akuzat që i vinin në barrë.
Ndryshe, në maj të vitit të kaluar, Muçaj ishte shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës apo autoriteti zyrtar. Dënimi i ishte shqiptuar me një vit burgim efektiv, por që Gjykata e Apelit ka shfuqizuar këtë dënim duke e liruar nga akuzat, për shkak se Gjykata Themelore kishte bërë vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike.
Ai dyshohej se në vitin- 2014 në cilësinë e personit zyrtar, përkatësisht Drejtorit/Kryesuesit të Departamentit Ligjor dhe Licencim të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave (ARH), në emër të institucionit të lartcekur, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me dashje direkte, ka lëshuar vendimin me të cilën ka revokuar në mënyrë të kundërligjshme licencën për transport hekurudhor të mallrave të ndërmarrjes “Railtrans” L.L.C. me seli në Prishtinë.
Gjykata e Apelit përmes një njoftimi për media ka konstatuar se Muçaj ka vepruar në përputhje me autorizimin e tij dhe se nuk i ka tejkaluar autorizimet.
“Gjykata e Apelit pasi shqyrtoi me kujdes pretendimet ankimore dhe i vlerësoi shkresat e lendes, gjeti se gjykata e shkallës së parë, e ka bërë vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe me këtë gabimisht e ka shpallur fajtor të akuzuarin për veprën penale për të cilën është akuzuar, për shkak se provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk e dëshmojnë se i akuzuari ka kryer veprën për të cilën është akuzuar. Gjykata e Apelit konstaton se i akuzuari ka vepruar në përputhje me autorizimet e tij sipas Ligjit për Hekurudhat dhe akteve tjera nënligjore të ARH-së, nuk i ka tejkaluar autorizimet apo detyrat zyrtare dhe nuk ka pasur prova që e kanë dëshmuar se i njëjti kishte për qëllim dëmtimin e Kompanisë Railtrans, apo përfitimin e Kompanisë Publike Trainkos”, thuhet në njoftim./Gazeta Sinjali/