image Gjykata e Apelit konfirmon aktakuzën për korrupsion ndaj Dhurata Hoxhës dhe tre të tjerëve

Siguri

Gjykata e Apelit konfirmon aktakuzën për korrupsion ndaj Dhurata Hoxhës dhe tre të tjerëve

news image

Gjykata e Apelit e ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha dhe tre të akuzuarve të tjerë Ekrem Tahiri, Fitim Mustafa dhe Gëzim Dushi.

Bashkë me të për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar akuzohen Mustafa dhe Dushi, ndërsa Tahiri akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Apeli i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve Fitim Mustafa, avokat Arbër Jashari, Dhurata Hoxha, avokat Florent Latifaj, Gëzim Dushi, avokate Kosovare Klemendi dhe Ekrem Tahiri, avokat Driton Muharremi, të paraqitura kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, lidhur me kundërshtimet dhe kërkesat për hudhje të aktakuzës.

Me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamentit Special të 27 korrikut 2022, janë refuzuar kërkesat për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave të ushtruar nga mbrojtësit e lartcekur.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 1 qershor 2022, të akuzuarit Hoxha, Tahiri, Mustafa dhe Dushi ishin deklaruar të pafajshëm.

/GazetaSinjali/