image Gjykata e Apelit e kthen në Gjykatën Themelore kërkesën e aksionarit të Monegos

Kosovë

Ekonomi/ Gjykata e Apelit e kthen në Gjykatën Themelore kërkesën e aksionarit të Monegos

news image

Gjykata e Apelit të hënën ka urdhëruar Gjykatën Themelore të Prishtinës të rishikojë aplikimin e aksionarit të Monegos të paraqitur më herët.

Ky aplikim përfshin kërkesën drejtuar gjykatës për të krijuar një masë të sigurisë për kompaninë Monego dhe 250 punëtorët e saj, gjë që do të ndalonte ekzekutimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, derisa çështja të shqyrtohet nga gjykata.

“Miratohet si bazuar ankesa e përfaqësuesve të autorizuar të paditësit-propozuesit Aigars Kesenfelds nga Letonia, aksionar i Monego, sh.p.k. me seli në Prishtinë, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, A. Nr. 3029/2019, i datës 20.12.2019, anulohet dhe lënda i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe rivendosje”, thuhet në vendim.

Po ashtu, vendimi thotë se, “paditësi i pakënaqur me vendimin e lartcekur ka ushtruar padi për konflikt administrativ me 18.12.2019 kundër të paditurës Banka Qendrore e Kosovës në Prishtinë, për anulimin e vendimit, me kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të njëjtit, deri në vendosjen meritore të gjykatës sipas kësaj padie”.

I pyetur rreth vendimit të Gjykatës së Apelit, aksionari i Monego u përgjigj se, “përderisa ne jemi të sigurt të drejtën tonë ligjore, si dhe për masën e sigurisë për të ndaluar vendimin e BQK-së, ashtu dhe çështjen tonë në përgjithësi, ne mbetemi të hapur për dialog me BQK-në, pasi besojmë që Monego është në gjendje t’i kthehet punës në një mënyrë që përmbushë kërkesat e kompanisë dhe rregullatorit të saj”.

Aksionari i Monegos, gjithashtu theksoi se ai ka kërkuar një takim me zyrtarët e BQK-së dy javë më parë, por ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje./Gazeta Sinjali/