Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka vlerësuar sot se presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, po përpiqet të prezantohet me projektin e Ballkanit të Hapur si faktor i bashkëpunimit rajonal dhe se ai në fakt është “një njeri që e shkatërron sovranitetin e vendeve fqinje dhe stabilitetin rajonal”.
Gjukanoviq tha se alternativat rajonale janë gjithmonë të mirëseardhura “sepse ato janë një terren testimi për bashkëpunim”, por se Mali i Zi e ka një rezervë për “Ballkanin e Hapur”.
Ai tha se ka edhe nisma të tjera si Procesi i Berlinit, e cila “hap perspektiva të rëndësishme për lidhjen e rajonit dhe lidhjet infrastrukturore me BE-në”.
Një arsye tjetër pse ai e shikon me rezerva nismën e Ballkanit të Hapur është se “ajo ofrohet si një lloj alternativë ndaj Bashkimit Evropian”, dhe “jokredibiliteti i disa prej personave që e promovojnë këtë nismë”.
Në këtë kontekst, Gjukanoviq tha se ai e ka fjalën kryesisht për Vuçiqin.
Gjukanoviq thotë se Vuçiq, “i cili po përpiqet të paraqitet si faktor i bashkëpunimit rajonal, është i njëjti njeri që po e shkatërron sovranitetin e vendeve fqinje dhe po e shkatërron stabilitetin e rajonit”, tha ai në një intervistë për televizionin MCN.