Mbrëmjen e sotme disa të shtëna me armë zjarri trazuan banorët e lagjes Lakrishte në Prishtinë. Një përleshje mes disa të rinjsh rrezikoi të përfundojë tragjikisht. Tre persona mbetën të plagosur dhe tashmë janë dërguar në spital për tretman mjekësor, ndërsa Policia ka nisur kërkimet për të rënë në gjurmët e dy personave të dyshuar, raporton Gazeta Sinjali.
Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.
“Sot rreth orës 19:00 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në lagjen Lakrishte në Prishtinë.
Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.
Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se me armë zjarri janë plagosur tre persona, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor.
Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e dy personave të dyshuar ( të cilët janë identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit”, tha Ahmeti.