Banorët në Lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë u terrorizuan të hënën qysh nga mëngjesi dhe nuk gjetën gjetësi deri mbrëmë në orët e vona. Në dy lokacione, gjatë mbrëmjes u gjuajt me armë zjarri dhe akoma nuk dihet nëse janë personat e njëjtë që dyshohen të jenë përfshirë në incident. Salih Sekiraqa, djali i të cilit dyshohet për plagosjen e djeshme, në njërin prej këtyre rasteve ka qenë dëshmitar, raporton Gazeta Sinjali.
Ashtu siç raportoi mbrëmë ekskluzivisht Gazeta Sinjali, të shtënat me armë u dëgjuan në afërsi të shtëpisë së Sekiraqës.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se në rastin që ndodhi në rrugën “Shaip Spahiu”, të dyshuarit kanë gjuajtur mbi 10 herë në drejtim të një personi (emër i njohur për redaksinë), të cilin nuk e kanë qëlluar, pasi plumbat kanë përfunduar në veturën e tij.
Të njëjtit janë larguar më pas me shpejtësi dhe sipas informacioneve të para, vetura e tyre ishte pa targa.
Siç mëson Sinjali, Sekiraqa ka qenë dëshmitar në këtë rast, që akoma nuk dihet nëse ka lidhje me rastin e mëngjesit, ku djali i tij dyshohet se e plagosi djalin e familjes së njohur si ‘Capat’, Pajtim Gashin.
Në vendin e ngjarjes, Policia ka kryer mbrëmë ekzaminimet e nevojshme dhe më pas me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetimi në drejtim të veprës penale “Vrasje në tentativë”.
Lajmin e konfirmoi edhe Policia e Kosovës, me ç’rast njoftoi se nuk ka persona të lënduar nga gjuajtjet me armë zjarri, ndërsa po kërkohen personat e dyshuar.
Të gjitha detajet për rastet e ditës së djeshme, i gjeni në linkun e mëposhtëm.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.