image Gjithçka që duhet të dini rreth metaversit - Sinjali

Gjithçka që duhet të dini rreth metaversit

news image

Termi “metavers” është kryefjala e fundit që ka kapluar imagjinatën e industrisë së teknologjisë – aq shumë sa që njëra ndër platformat më të njohura në internet është riemërtuar, për të sinjalizuar përqafimin e idesë futuriste.

Njoftimi i 27 tetorit, i kryeshefit ekzekutiv të Facebook-ut, Mark Zuckerberg, për ndryshimin e emrit të kompanisë së tij në Meta Platforms Inc., apo Meta, shkurtimisht, mund të jetë gjëja më e rëndësishme që i ka ndodhur metaversit, që kur shkrimtari i zhanrit fantastiko-shkencor, Neal Stephenson, shpiku këtë term, për novelën e tij të vitit 1992, “Snow Crash” (shqip: Aksident në borë).

Por, Zuckerberg dhe ekipi i tij nuk janë të vetmit vizionarë të teknologjisë me ide për formën që duhet të marrë metaversi, i cili do të shërbehet nga një përzierje e realitetit virtual dhe teknologjive të tjera. Dhe, disa prej njerëzve, që e kanë menduar atë prej kohësh, kanë pikëpyetje për një botë të re, të lidhur me gjigantin e mediave sociale, që mund të fitojë qasje në edhe më shumë të dhëna personale, dhe i cili akuzohet se ka dështuar të ndalojë shpërndarjen e dezinformatave të rrezikshme dhe veprimet e tjera të dëmshme në internet, të cilat i keqësojnë problemet në botën e vërtetë.

Çka është metaversi?

Mendojeni atë si jetësimin e internetit, apo të paktën pasqyrimin e tij në 3D. Zuckerberg e ka përshkruar atë si “mjedis virtual” brenda të cilit mund të futeni – në vend se vetëm ta shikoni në një ekran. Në thelb, është një botë e komuniteteve të pafundme të ndërlidhura në mënyrë virtuale, ku njerëzit mund të takohen, të punojnë dhe të luajnë, duke përdorur pajisje të realitetit virtual, syze të realitetit të shtuar, aplikacione në telefonat e mençur apo pajisje të tjera, shkruan AP, transmeton REL.

Ai gjithashtu do të inkorporojë aspekte të tjera të jetës ‘online’, si tregtia dhe mediat sociale, sipas Victoria Petrockut, analiste që përcjell teknologjitë e reja.

“Bëhet fjalë për zhvillimin e ardhshëm të lidhjes, ku të gjitha gjërat fillojnë të bashkohen në një univers paralel e të pafund, dhe ku e jetoni jetën tuaj virtuale njëjtë sikur e jetoni jetën tuaj fizike”, ka shpjeguar ajo.

Çfarë do të mund të bëni në metavers?

Brenda metaversit, ju do të mund të shkoni në një koncert virtual, të bëni një ekskursion ‘online’, të shikoni apo të krijoni vepra arti, dhe të provoni apo të blini rroba digjitale.

Metaversi po ashtu mund ta ndryshojë edhe praktikën e punës nga shtëpia, në mes të pandemisë së koronavirusit. Në vend se t’i shikojnë kolegët në katrorë të vegjël në videothirrje, punonjësit do të mund t’i bashkohen atyre në një zyrë virtuale.

Facebook-u, tashmë i njohur si Meta, ka krijuar një softuer për takime për biznese, të quajtur Horizon Workrooms, që mund të përdoret me pajisjet e tij të realitetit virtual, Oculus VR, ndonëse recensionet e para nuk kanë qenë aq të mira. Pajisjet, që vendosen në kokë, kushtojnë 300 apo më shumë dollarë amerikanë, duke i bërë përvojat më të avancuara të metaversit të papërballueshme për shumë njerëz.

Ndërkaq, ata që kanë mundësi t’i blejnë ato do të munden, nëpërmjet figurave të tyre, që njihen si “avatarë”, të enden nëpër botët virtuale, të krijuara nga kompani të ndryshme.

“Një pjesë e madhe e përvojës në metavers do të përqendrohet në mundësinë për t’u teleportuar nga njëra eksperiencë në tjetrën”, është shprehur Zuckerberg.

Kompanitë teknologjike ende duhet të gjejnë mënyrat për lidhjen e platformave të tyre ‘online’ me njëra-tjetrën. Për ta realizuar një gjë të tillë, platformat konkurruese teknologjike do të duhet të merren vesh për një varg standardesh, në mënyrë që të mos jenë “disa njerëz në metaversin e Facebook-ut dhe disa të tjerë në metaversin e Microsoft-it”, ka thënë Petrock.

A po përqendrohet Facebook-u krejtësisht te metaversi?

Zuckerberg po angazhohet plotësisht për atë që ai e sheh si brez të ri të internetit, sepse mendon se ai do të jetë pjesë e rëndësishme e ekonomisë digjitale.

Kritikët dyshojnë se zhvendosja potenciale mund të jetë një përpjekje për të larguar vëmendjen nga krizat e kompanisë, përfshirë akuzat për monopol, dëshmitë e ish-punonjësve sinjalizues dhe vërejtjet për trajtimin e dezinformatave.

Ish-punonjësja Frances Haugen i ka akuzuar platformat e Facebook-ut se për dëmtim të fëmijëve dhe për nxitje të dhunës politike, pasi i ka kopjuar dokumentet e brendshme hulumtuese dhe ua ka dorëzuar ato Komisionit amerikan për Letra me Vlerë dhe Shkëmbime.

Ato gjithashtu i janë dhënë një grupi mediash, përfshirë The Associated Press, që ka botuar një varg shkrimesh, duke treguar se si Facebook i ka vënë fitimet si prioritet, para sigurisë, dhe i ka fshehur hulumtimet e veta nga investitorët dhe nga publiku.

A është metaversi vetëm projekt i Facebook-ut?

Jo. Kompani të tjera, të angazhuara rreth metaversit, përfshijnë Microsoft-in dhe prodhuesin e çipave, Nvidia.

“Ne mendojmë se do të ketë shumë kompani që do të ndërtojnë botë dhe mjedise virtuale në metavers, ashtu siç ka shumë kompani që bëjnë gjëra në World Wide Web (shqip: Rrjeti mbarëbotëror)”, ka thënë Richard Kerris, nënkryetar i platformës Omniverse të Nvidia-s. “Është e rëndësishme të jesh i hapur dhe i zgjerueshëm, që të mund të teleportohesh në botë të ndryshme, qoftë të njërës kompani apo të tjetrës, ashtu siç kaloj nga njëra uebfaqe në një uebfaqe tjetër”.

Kompanitë e videolojërave gjithashtu po marrin një rol të rëndësishëm. Epic Games, kompania që ka krijuar videolojën e popullarizuar “Fortnite”, ka grumbulluar 1 miliardë dollarë nga investitorët, si ndihmë për planet e saj afatgjate për ndërtimin e metaversit. Platforma e lojërave Roblox është një tjetër lojtare e madhe, teksa ka paraqitur vizionin e saj të metaversit, si një vend ku “njerëzit mund të bëhen bashkë nëpërmjet miliona përvojave 3D, për të mësuar, për të punuar, për të luajtur, për të krijuar dhe për t’u shoqëruar”.

Edhe markat prodhuese po përpiqen t’i bashkohen trendit. Shtëpia italiane e modës, Gucci, ka bashkëpunuar në qershor me Roblox-in, për të shitur një koleksion të aksesorëve digjitalë. Coca-Cola dhe Clinique kanë shitur zhetonë digjitalë, duke e konsideruar si hap në rrugën drejt metaversit.

A do të jetë kjo një mënyrë tjetër për të na marrë të dhënat?

Përqafimi i metaversit nga ana e Zuckerbergut në disa mënyra bie në kundërshtim me një parim thelbësor të entuziastëve të tij më të mëdhenj. Ata e shohin metaversin si çlirim të kulturës ‘online’ nga platformat teknologjike, si Facebook, që kanë marrë pronësinë e llogarive, të fotografive dhe të shkrimeve të njerëzve, dhe kanë shitur atë që kanë nxjerrë nga ato të dhëna.

“Ne duam të kemi mundësinë të lëvizim nëpër internet me lehtësi, por gjithashtu duam të kemi mundësinë të lëvizim nëpër internet në një mënyrë që s’përfshin gjurmimin dhe monitorimin tonë”, ka thënë investitori Steve Jang, partner menaxhues në Kindred Ventures, që merret me teknologjinë e kriptovalutave.

Duket qartë se Facebook-u dëshiron të vazhdojë modelin e vet të të bërit biznes, i cili është i bazuar në shfrytëzimin e të dhënave personale, për të shitur reklama specifike edhe në metavers.

“Reklamat do të vazhdojnë të jenë pjesë e rëndësishme e strategjisë rreth asaj që bëjmë në mediat sociale, dhe me gjasë do të jenë edhe pjesë e rëndësishme të metaversit”, është shprehur Zuckerberg së fundmi.

Petrrock ka thënë se e shqetëson fakti se Facebook-u po përpiqet të prijë në rrugën drejt një bote virtuale, që mund të kërkojë edhe më shumë të dhëna personale, dhe që mund të ofrojë potencial edhe më të madh për abuzime dhe për dezinformata, kur këto probleme ende nuk janë rregulluar në platformat e veta aktuale.

/Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin